Ilustrimi: Granit Mavriqi / KALLXO.com

Sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID

Sot hyjnë në fuqi masat e reja kundër COVID-19 të miratuara dje nga Qeveria e Kosovës, pas rritjes së numrit të rasteve pozitive.

Do të kthehet ora policore nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Shërbimet e gastronomisë do të lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00 kurse muzika do të lejohet vetëm deri në orën 20:30.

Në vendim thuhet se shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50% të kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% të kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë.

Po ashtu do të mbyllen fitneset, palestrat dhe institucione të tjera për shfrytëzim të publikut për aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale sportive.

Sipas vendimit të Qeverisë, nga sot të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet ta kenë certifikatën e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Sipas vendimit të Qeverisë, shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë (7) ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, të gjithë qytetarët e moshave 12 e deri në 16-vjeçare duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.

Vendimi hyn në fuqi sot dhe vlen deri më 4 shkurt 2022.