Pabarazia Gjinore, Green Festival, Fotografi: Green Festival në Facebook

Sot fillon "Green Festival"

Sot fillon festivali multidisiplinar “Green Festival”, i cili përmban program edukativ dhe kulturor që ka për qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë për çështjet mjedisore.

Edicioni i sivjetmë do të mbahet online dhe do të zgjas deri me 13 shtator.

Lulzim Hoti, drejtor ekzekutiv i “7Arte” tha për KALLXO.com se nën slloganin “The past. The present. The Change” [E shkuara. E tashmja. Ndryshimi] , Green Fest këtë vit do të trajtojë pabarazinë sociale, gjinore, në arsim dhe atë urbane.

“Me rrënjët në të kaluarën, ndikimin në të tashmen dhe rrezikun që mund t`ia shkaktojë së ardhmes, pabarazinë e hasim çdo kund, në shkollë, në shoqëri, në qytet e përditshmëri”, tha Hoti.

Sipas Hotit, në këtë vit festivali do të përmbajë më shumë aktivitete duke e pasuruar programin me pjesëmarrjen e shumë ekspertëve nga fushat përkatëse.

Në “Green Talks” do të flasin Rron Gjinovci, Nita Luci, Fjollë Caka dhe Bekim Baliqi.

“Green School” do të përbëhet nga aktivitete informuese – edukative dhe punëtori të organizuara nga organizata, individë dhe iniciativa të caktuara me pjesëmarrës, Indira Kartallozi, Çlirim Sheremeti, Eglantina Avdiu, Albana Berisha dhe  Mimoza Istrefi.

Në “Green Music” do të marrin pjesë Nezafete Shala dhe Genc Salihu dhe në sesionin “Infografia” do të paraqitet një hulumtim i realizuar enkas për t`u publikuar në festival, lidhur me pabarazinë dhe ndikimin e pandemisë në këtë fenomen.