Sot është Dita Botërore e Mjedisit

Në gjithë botën sot shënohet Dita Botërore e Mjedisit, si një ditë ku kërkohet vetëdijesim i qytetarëve dhe përgjegjësi nga politikanët për këtë problem.

Me rastin e  “Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me FSK-në, OJQ INDEP, KSDW, The ideas partnership, Pamkos dhe shoqërinë civile do të shënojnë këtë ditë  me aktivitete pastrimi ( Trudë dhe platon e Sheshit “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë).

Dita Botërore e Mjedisit është caktuar 45 vjet më parë nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.

5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972 , nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-s. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.

Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar.

Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.