Sot del para gjykatës drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi

Lavdim Krasniqi dhe Marigona Berisha sot pritet të dalin para Gjykatës së Prishtinës për tu përballur me kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj tyre si të dyshuar për keqpërdorim detyre.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila tha se seanca pritet të mbahet në ora 12 dhe gjyqtari i cili do të vendos për këtë rast është Kushtrim Shyti.

Prokuroria në Prishtinë dje ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.

Të njëjtit po dyshohen për veprat penale, keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale dhe moslajmërim të veprës penale.

KALLXO.com ka raportuar se Lavdim Krasniqi dhe Marigona Berisha nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, janë arrestuar nga ana e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike

Kurse Këshilli Prokurorial i Kosovës, ditën e djeshme ka njoftuar se pas fillimit të procedurës penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente.