Foto: REL/AFP

Sot bisedimet Kosovë-Serbi

 

Pas më shumë se një muaj, sot në Bruksel mbahet raundi i ri i bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni në kryeqendrën evropiane do të vazhdojë negociatat të mbetura në gjysmë nga takimi i 29 tetorit.

Bisedimet fillojnë në orën 10:00, me takime të ndara të delegacioneve me përfaqësuesin special të BE-së për dialog Miroslav Lajçak, pasuar nga një takim trepalësh midis Prishtinës, Beogradit dhe ndërmjetësuesve të BE.

Ky është takimi i shtatë i delegacioneve në rang ekspertësh të Beogradit dhe Prishtinës që nga vazhdimi i dialogut në korrik të këtij viti.

Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm thotë se çështjet e pretendimeve të ndërsjella financiare dhe pronës janë në rendin e ditës.

Nga zyra e kryeministrit Hoti u shprehën se bashkë me Hysenin do të marrin rrugë në Bruksel dhe ekspertë e ekonomisë.

“Takimi i radhës në Bruksel(10.12.2020) do të zhvillohet në nivel të ekspertëve, ekipi do të udhëhiqet nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni. Do të vazhdoj diskutimi nga takimi i fundit për zgjidhjen e pretendimeve financiare”, ka thënë ditë më parë, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku.

E këtë takim e konfirmuan edhe nga zyra e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, por pa e zbërthyer agjendën e takimit.

Për dallim nga takimet e nivelit të ekspertëve, liderët e shteteve, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk janë takuar që nga fillimi i shtatorit./21Media