Sonte Zvicra-Kosova, ja çfarë thonë nga dy kampet

Sot në ora 18:00, Kosova dhe Zvicra do të ndeshen për herë të parë, në një ndeshje miqësore.

Përfaqësuesit e të dy kombëtareve janë deklaruar para ndeshjes, duke thënë se do luajnë për fitore.

Kjo do të jetë ndeshja e dytë e Kosovës nën urdhëratat e Alain Giresse, pas fitores 5 me 0 kundër Burkina Fasos.

Në anën tjetër Zvicra vjen në këtë takim pas humbjes kundër Anglisë me rezultat 2:1.

Florent Handergjonaj që në të kaluarën ka qenë pjesë e kombëtares zvicerane tha në konferencë për media një ditë para ndeshjes së do të tentojnë të tregojnë vlerat dhe formën e mirë e Kosovës. Ndërsa Giresee është shprehur se ekipi ka marrë të gjitha masat për t’i bërë ballë kundërshtarit.

Xherdan Shaqiri, që është njëri nga tre futbollistët me prejardhje shqiptare në kampin e helvetikëve është shprehur se nëse shënon, nuk do të festojë.

Kombëtarja e Kosovës gjatë ditës së djeshme me të mbërritur në Zvicër është pritur nga një numër i madh i bashkatdhetarëve që pritet po ashtu t’i mbushin shkallët e stadiumit.

Tifo grupi Dardanët gjatë ditës se djeshme përmes një mesazhi kanë bërë thirrje lojtarëve të Kosovës që të mos tregojnë respekt të veçantë për kundërshtarët.