Sonte vjen në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19

Në Kosovë sot pritet të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave do të marrë pjesë kryeministri Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me fillim nga ora 20:15.

Në njoftim nuk bëhet i ditur numri i vaksinave që arrijnë sonte.

Por, në fillim të muajit mars, ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte përmendur shifrën prej 33 mijë dozave.