Sonte nis ora policore në katër komuna

Rritja e rasteve me COVID-19 në Prishtinë, Vushtrri, Prizren e Ferizaj, ka bërë që në këto komuna të rikthehen masat kundër pandemisë

Dje Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga ora 21:00-05:00 të kufizohet liria e qytetarëve dhe të gjitha lokalet e gastronomisë të mbyllen në katër qytetet më të prekura nga virusi corona.

Kryeminstri i Kosovës, Avdullah Hoti, dje përmes facebook ka bërë të ditur se  vendimet hyjnë në fuqi që nga sot.

Disa nga vendimet e djeshme të Qeverisë së Kosovës:

Nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme):

Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës;

Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-aëay (merre me vete).

Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse shëndetësore të ndërtojnë strategji adekuate mediale për informim të qytetarëve.

Në përputhje me kërkesat e Inspektoratit Sanitar, të gjitha inspektoratet e tjera i vënë në dispozicion kapacitetet e veta për të mbikëqyrur zbatimin e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Aktualisht në Kosovë janë 3508 të infektuar me COVID-19, 1902 të shëruar dhe 75 të vdekur.