Sonte në ‘Jeta në Kosovë’: Intervistë me Vjosa Osmanin dhe debat për tërmetin në Shqipëri

Sonte në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, menjëherë pas Lajmeve Qendrore në RTK dhe Live në KALLXO.com do të ndiqni intervistën ekskluzive me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 6 tetorit ka qenë kandidate e kësaj partie për kryeministre.

Në këtë intervistë, Vjosa Osmani do të flasë për procesin e bisedimeve për koalicion me Vetëvendosjen, pritjet nga qeveria e ardhshme, programin qeveritar si dhe arsyet pse ajo nuk fitoi në zgjedhje për t’u bërë kryeministre.

Në pjesën e dytë të emisionit do të transmetohet një debat rreth tërmetit në Shqipëri. Në këtë debat, panelistët do të diskutojnë për masat e ndërmarra pas tërmetit si dhe mundësitë që autoritetet si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë të përgatiten më mirë për t’u bërë ballë emergjencave të tilla. Në debat panelistë janë: Flamur Gashi- këshilltar i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta; Venera Goxha- doktor shkence për Arkitekturë, Menaxhim të Planifikimit Urban dhe Ambient; Misin Misini- profesor universitar dhe Kreshnik Gashi- redaktor në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ i cili ka përcjellë nga tereni reagimin e ekipeve emergjente pas tërmetit në Shqipëri.