Sonja Biserko, Analiste serbe

Sonja Biserko: E paimagjinueshme që Shqipëria përkrahu idenë e ndarjes

Në një telekonferencë të organizuar nga Programi për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Universitetin Columbia dhe Qendra për Siguri në Evropën Juglindore, Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi u shpreh se është e paimagjinueshme që Shqipëria përkrahu një ide si ajo e ndarjes së Kosovës gjë që sipas saj ndryshoi kursin ndërkombëtar.

“Serbia përkundër marrëveshjeve të arritura në Bruksel është sjellë në mënyrë kontradiktore, si fillim pengoi konsolidimin e shtetit të Kosovës, Lista Serbe u bë bartëse e interesave të serbëve në Kosovë, Beogradi po bëhej gati të bënte një marrëveshje për ndarje me kosovarët, madje është e pa imagjinueshme që Shqipëria të përkrahë një ide të tillë, e gjithë kjo e ndryshoi kursin ndërkombëtar për pikëpamje të ndryshme, dhe i dha Serbisë shumë hapësirë për të vazhduar lojën,” tha Biserko.

Sipas Biserkos, Serbia nuk ka konsideruar kurrë ndonjë opsion tjetër përpos profitit sa i përket Kosovës dhe se në arenën ndërkombëtare ka mungesë konsensusi.

“Siç e dini Serbia nuk ka konsideruar kurrë ndonjë opsion tjetër përpos përfitimit për Kosovën, është në tavolinë që nga vitet 80-ta. Ka mungesë konsensusi, rregullat parimet dhe implementimet fatkeqësisht nuk i kemi më, por të braktisim parimet me të cilat Ballkani është përballur është një rrezik i madh për të ardhmen e Kosovës”, tha ajo.

Biserko shtoi se e ardhmja e Kosovës duhet të kompletohet në këtë kontekst te ri ndërkombëtar dhe se COVID-19 e ka qartësuar situatën, gjë ka ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ajo tha se ka tre nivele të ndryshme në mënyrën si duhet të shihet marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

“Unë sugjeroj se e ardhmja e Kosovës duhet të shihet në tre nivele të ndryshme: e para është niveli i brendshëm, si do ndikojë në Kosovë dhe Serbi, e dyta niveli rajonal, si do ndikonte marrëveshje në rajon dhe niveli i ndërkombëtar,” tha Biserko.

Tutje ajo shtoi se Serbia ka përkrahje nga Rusia për këtë ide sepse shumë intelektualë rusë janë shprehur se ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk do ndodhë pa përfshirjen e Rusisë, duke mos harruar edhe shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi lidhur me këtë ide.

Biserko foli edhe për zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe rolin e opozitës të cilët thotë se nuk kanë ndonjë vizion të qartë për këtë temë.

“Fatkeqësisht besoj se zgjedhjet e reja në Serbi do fitohen nga Vuçiq sepse nuk kemi kushte teknike për zgjedhje të drejta dhe ligjore dhe se opozita nuk ka ndonjë vizion për këtë temë. Ekziston grupi i djathtë i intelektualëve që janë kundër ndarjes së Kosovës por ata nuk kanë dhënë kurrë ndonjë propozim tjetër, pra ky është një debat i detyruar me një opsion të vetëm-ndarjen dhe mendoj se shumica e popullit pajtohen për këtë”, tha Sonja Biserko.

Ajo u shpreh se Daniel Serwer ka të drejtë kur thotë se dialogu duhet të shtyhet sepse kjo ide me përkrahje të mundshme nga SHBA paraqet rrezik për rajonin dhe është shkatërruese për Kosovën.