Foto: KALLXO.com

Sondazhi i RIDEA-s: Shqiptarët duan rifillimin e dialogut, serbët duan korrigjim të kufirit

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka bërë prezantimin e hulumtimit ‘Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Vëllimi III’.

Sipas raportit, qëllimi i këtij sondazhi është identifikimi i përceptimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve për zhvillimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sondazhi tregon se sa i përket skenarit për korrigjim të kufirit ekziston një mbështetje modeste në të dy komunitetet për korrigjim të kufirit me Serbinë, me kusht që kjo të sjellë njohje globale, edhe pse përkrahësit për këtë skenar mbizotërohen nga ana që e kundërshtojnë.

Sipas sondazhit, për këtë skenar ka një mbështetje prej 30 për qind nga komuniteti shqiptar dhe më shumë nga komuniteti serb, prej 40 për qind.

Eksperti nga Instituti RIDEA, ligjërues në Universitetin e Oksfordit, Anthony Heath tha se sondazhi është i bazuar në 1,107 respodentë dhe është mbajtur në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas tij, nga sodazhi tregohet se 70 për qind e shqiptarëve dhe 60 për qind e  serbëve e mbështesin fillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Studimi është bazuar në tri skenare kryesore: Vazhdimi i status kuo-së, njohja defacto nga Serbia dhe korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi.

Sipas sondazhit, ekziston një mbështetje e fuqishme nga të dy komunitetet, veçanërisht nga komuniteti shqiptar për rifillimin e diaogut.

Dy komunitetet (por sidomos komuniteti shqiptar) besojnë se qeveria duhet të bëjë çdo përpjekje për arritje të një marrëveshje përfundimtare – gjetje e re.

“Sikurse në sondazhin e parë dhe të dytë ekziston një pakënaqësi e konsiderueshme me stautus quo-në përbrenda komunitetit shqiptar ndërsa komuniteti serb ka qëndrime më të përziera sa i përket vazhdimit të staus quo-së”, thuhet në raport.

Sondazhi tutje ka treguar se ka shumë pak mbështetje nga komuniteti shqiptar për dhënie të kompetencave të zgjeruara ekzekutive për Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Kurse, shumica e komunitetit serb e përkrahin dhënien e kompetencave ekzekutive për AKS-në.

Heqja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin (LDK), ka hapur mundësinë për rifillimin e dialogut mes të dyja vendeve.

Megjithkëtë, udhëheqja e dialogut shihet nga këndvështrime të ndryshme nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, të cilët kanë deklaruar se do të veprojnë në bazë të kompetencave kushtetuese.

Kreu i shtetit, është deklaruar se nuk pretendon të marrë pjesë në negociatat në Bruksel, me ndërmjetësim të të emëruarit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Thaçi, i cili ka përfaqësuar Kosovën dialogun në nivel politik me Serbinë, muajve të fundit ka orientuar qasjen e tij kah përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për këtë proces, Richard Grenell, duke shfaqur qëndrimin se me amerikanët do të arrihet një “dinamikë – punë e shpejtë dhe e mirë”.

Ndërkaq, kryeministri Hoti në programin e tij qeverisës, mes prioritetesh e ka vendosur dialogun me Serbinë, duke shtuar se do të marr përgjegjësinë për ta udhëhequr atë, duke ruajtur kufijtë ekzistues të Kosovës si dhe duke e vlerësuar si të pandashëm rolin e BE-së dhe ShBA-së për “suksesin e këtij procesi”.

Tema e kufijve [korrigjimi i kufirit], është një ide që ishte proklamuar nga presidenti Thaçi në verën e 2018-s, e cila mbetet aktive në akuzat që sot e asaj dite merr presidenti nga faktorë të ndryshëm politik në vend dhe më gjerë.