Solokëngëtarja Elona Sadiku. Fotografi: Kori Siparantum në Facebook

Solokëngëtarja kosovare Elona Sadiku performoi në Filharmoninë e Berlinit

Në zemrën muzikore të Berlinit, në Filharmoninë e kryeqytetit gjerman, solokëngëtarja e re nga Gjilani, Elona Sadiku është paraqitur me veprën  “Mother Theresa” (Nënë Tereza).

Sadiku ishte bërë pjesë e kësaj skene botërore së bashku me korin Siparantum më 6 mars të këtij viti.

Kjo është hera e parë që një kor (Siparantum Choir) nga Kosova mban koncert në Sallën e Filharmonisë berlineze.  

Koncerti është mbajtur në sallën më të njohur koncertale në botë, “Berlin Philharmonie”. 

Kori Siparantum performon në Filharmoninë e Berlinit. Fotografi: Kori Siparantum në Facebook

Sadiku kishte intepretuar veprën e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, me përcjelljen e harmonikës nga instrumentisti i famshëm gjerman Felix Kroll dhe kori Siparantum me dirigjent Memli Kelmendi.

Ajo thotë që është shumë e lumtur me këtë arritje të saj së bashku me Korin Siparantum.

“Jam shumë e lumtur për këtë arritje timen së bashku me korin Siparantum,” ka thënë ajo.

Filharmonia e Berlinit ka qenë zemra muzikore e Berlinit që nga viti 1963. E gjendur në periferi të Berlinit Perëndimor, ajo u bë pjesë e qendrës së re urbane pas rënies së Murit të Berlinit.

Ndërkaq, kryesia e korit Siparantum thonë se janë të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale shqiptare, një kor nga Kosova paraqitet në skenën më të rëndësishme të muzikës në Berliner Philharmoniker.

“Në këtë skenë kanë përformuar artistët më të mëdhenj të muzikës klasike në botë, e konsiderohet ëndërr e çdo artisti,” kanë shkruar në Facebook.

Kori Siparantum është kori më popullor në skenën muzikore të Kosovës. Kori u krijua në vitin 2017. Siparantum është pjesë e CD-së më të fundit të “International Choir Contest, Flandes 2019” mes koreve të tjera pjesëmarrëse. Kori Siparantum ka qenë së fundmi pjesë e festivalit në “69th European Music Festival for Young People”, Neerpelt/Belgjikë.