Solingen: I dyshuari për vrasjet duhej të dëbohej por u fsheh
Siriani 26-vjeçari me sa duket duhej të dëbohej që në vitin 2023 pasi iu refuzua kërkesa e azilit. Ai është duke u hetuar nën dyshimin për terrorizëm. Tre persona humbën jetën pas sulmit me thikë të dielën.
Qyteti i Solingenit është ende në shok, ndërkohë që mediat publikojnë të dhëna të reja në lidhje me sulmin e së dielës në një festë të qytetit. Sulmuesi i dyshuar për vrasjet me thikë në Solingen duhej të deportohej në Bullgari vitin e kaluar.
Autoritetet i konfirmuan raportimet përkatëse të disave, shkruan agjencia e lajmeve dpa. Kërkesa e sirianit për azil në Gjermani ishte refuzuar më parë. Personi kishte hyrë në Bashkimin Evropian nëpërmjet Bullgarisë – kështu që sipas rregullave të Dublinit ai do të duhej të aplikonte për azil atje. Pas refuzimit të azilit ai u fsheh në Gjermani, kështu që dëbimi nuk ishte më i vlefshëm dhe siriani u transferua në Solingen, shkruan “Welt”.
I dyshuari u dorëzua në polici rreth 24 orë pas krimit të vrasjes me thikë, ku humbën jetën tre persona dhe disa të plagosur rëndë. 26-vjeçari tha për autoritetet, se ai ishte përgjegjës për sulmin. Sipas informacioneve të agjencisë së lajmeve dpa, ai mësohet se momentin e arrestimit kishte rroba të lyera me gjak. Përfshirja e tij në krim po hetohet intensivisht.
Shtohen të dhënat, se personi i dyshuar i arrestuar ka pasur motive terroriste. Të dielën u bë e ditur se Prokuroria e Përgjithshme Federale i mori përsipër hetimet për dyshimin e terrorit në lidhje me sulmin në Solingen, ku u vranë me thikë tre persona, dy burra në moshën 67 dhe 56 vjeçare, një grua në moshën 56 vjeçare, si dhe u plagosën tetë të tjerë.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme tha, se po hetohet në lidhje me dyshimin, nëse personi i arrestuar është anëtar i të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, sipas Reuters. Personi i arrestuar nuk ka qenë i njohur më parë për autoritetet si ekstremist islamist.
I ashtuquajturi “Shteti Islamik”, IS deklaroi më parë se e merr përgjegjësinë për vrasjet në Solingen. Në një informim në rrjetin Telegram, IS shkroi se një “ushtar” i tyre kreu një sulm ndaj të krishterëve në Solingen. Ky sulm është “hakmarrje për myslimanët në Palestinë e kudo”. Nuk ka ende prova që IS qëndron pas sulmit dhe për lidhje mes të arrestuarit, të dyshuar për vrasjet në Solingen./DW