Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sokol Haliti: Për koalicionet do të koordinohemi me kryesinë e LDK-së

Kandidati për kryetar të Vitisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sokol Haliti, ka bërë të ditur se çdo lloj koalicioni i mundshëm me ndonjë parti politike, do të varet nga niveli qendror i subjektit që ai përfaqëson.

“Çështja e koalicioneve është pak e nivelit qendror, do të presim dhe të koordinohemi se si do të bëhet bashkëpunimi me partitë e tjera. Nuk kam asnjë formë jobashkëpunese me asnjë parti, vetëm mendoj se duhet të koordinohemi me nivelin qendror në këtë aspekt dhe është çështja e partive në kënd kam besim”, tha Haliti për KALLXO.com.

Haliti në zgjedhjet e 17 tetorit mori 8,111 vota apo 41.78% nga totali në zgjedhjet e 17 tetorit, rezultat ky që e dërgoi në balotazh me kundërkandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai shtoi se me kundër kandidatët e tij është takuar pas rezultatit zgjedhor dhe kanë bashkëpunim të mirë.

“Kandidatët e tjerë ma kanë uruar fitoren jemi takuar, pothuajse me të gjitha kandidatët kalimthi jemi përshëndet dhe kemi mirëkuptim mes vete”, tha Haliti.

Kryetari aktual i Vitisë, shtoi se nuk ka informacione nëse LVV do të bëjë koalicion me partinë e tretë në këtë garë, Partinë Demokratike të Kosovës për balotazhin që pritet të mbahet në këtë komunë.

“Nuk jam marrë me atë nëse partitë e tjera do të mund të bëjnë koalicion mes vete, por ne me qytetarë bashkëpunojmë, dhe bashkëpunimet nuk janë të pamundshme, edhe s’jam kundër asnjë lloj bashkëpunimi”, tha Haliti.

Ai megjithatë shprehet i bindur në fitoren e tij pas balotazhit që do të mbahet mes tij dhe kandidatit të LVV-së, Arsim Ademi, i cili mori 34.85% të votave të 17 teotrit.

“Ndërsa, unë besoj se fitoren e kam të pakontestueshme sepse edhe ne ashtu do prijmë dhe janë ende rezultatet e mërgatës që vijnë”, tha Haliti për KALLXO.com, duke shtuar se subjekti i tij politik është e para edhe për Kuvendin Komunal.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës janë mbajtur të dielën e kaluar, më 17 tetor.

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani 21 komuna do të shkojnë në balotazh, ndërsa në 17 sosh, gara është mbyllur që më 17 tetor, meqë kandidat të subjekteve politike kanë arritur të fitojnë mbi 50% të votave.

Këto janë 21 komunat që pritet të shkojnë në balotazh

.