Sokol Haliti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sokol Haliti nuk mbajti fjalën për ndërtimin e Stadiumit të Pozhoranit

Ndërtimi i stadiumit të Pozhoranit dhe pesë palestrave në Viti, janë dy premtimet me të cilat u përballë kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti në emisionin “Jeta në Komunë”.

Ekipi i KALLXO.com e ka vizituar stadiumin në Pozhoran, por aty deri më tani janë ndërtuar vetëm zhveshtoret, ndërsa tek palestra qendrore në Drobesh, vetëm muret.

Në përgjigjet e komunës së Vitisë për KALLXO.com thuhet se deri më tani janë ndërtuar tri palestra.

I pari i Vitisë u arsyetua me mungesën e buxhetit dhe kohën e pandemisë, ndonëse mandatin kryetari Haliti e ka marrë që nga 2017.

“Ai buxhet që na është ndarë nga Ministria ka qenë shumë i vogël, për shkak se ka qenë më i vogël se 800 mijë euro, ka qenë 200 mijë euro, i kemi shtuar ne si komunë, 600 mijë (për stadiumin e Pozhoranit dhe Vitisë).  Ankesat e kompanive gjatë ndarjes së tenderit për ndërtimin e dy stadiumeve, që është bërë me dy loto dhe ankesat në OSHP e kanë vonuar ndërtimin e tyre. Në fund të mandatit do t`i ndërtoj gjithsesi. Palestra në Viti vitin e ardhshëm do të funksionalizohet, ne kemi pas shkurtime në fonde për shkak të pandemisë, nga të dy qeveritë. Palestra qendrore në Drobesh, edhe ajo. Palestra shkollore sportive, te shkolla e mesme profesionale ka përfunduar, në Pozhoran vetëm ka filluar”, ka thënë ai gjatë emisionit.

 

Stadiumi në Pozhoran,Viti. Pamje me dron
Foto: Denis Sllovnija

 

Palestra sportive, Drobesh, Viti.
Pamje me dron, Denis Sllovnja.