Sociologia dhe aktivistja për të drejtat e grave, Sibel Halimi, Foto: Sibel Halimi/Facebook

Sociologia Halimi reagon ndaj mjekut që 'arsyetoi dhunimin'

Sociologia Sibel Halimi ka reaguar ndaj deklaratave të doktorit Nazim Qehaja, i cili kishte thënë se dhunuesit e femrave provokative duhet të mos dënohen me ligj.

Halimi tha se deklarata e tij i përket sikur të një shoqërie patriakale, që sipas saj trupi i gruas ka  shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si rregullator i sjelljes së saj, “madje edhe i riprodhimit të rolit si grua/vajzë përballë nënshtrimit ndaj autoritetit”.

“Çdo grua e cila përcaktohet nëpërmjet (zh)veshjes linjat e saj, ajo meriton ‘të ndëshkohet’ dhe si e tillë, çdo dhunë që i shkaktohet asaj, në heshtje është e pranuar nga shoqëria. Prandaj, nuk është e rastësishme që fokusi i trajtimit të ngacmimeve seksuale nuk i vihet dhunuesit, por veshjes eventuale që ato kanë pasur. Veshja na paraqitet jo vetëm si fshehje e trupit, por edhe turpit të saj. Vështrimit të burrit, që është edhe vështrimi i vetë gjuhës, kulturores shndërrohet ashtu në manifestimin material të turpit”, ka reaguar ajo.

Ajo thekson se në shoqërinë standardet për trupin janë të krijuara, të konsoliduara dhe aspak fluide, “sidomos kur ai ideologjizohet, moralizohet dhe shpërfaqet nëpërmjet koncepteve si ‘imoralitet’ apo ‘devijim’”.

“Megjithatë, duke qenë trupi praktikë e rregullt e kontrollit dhe disiplinimit, siç edhe e trajtuan Michel Foucault dhe Pierre Bourdieu, atëherë trupi i gruas, nuk është vetëm imanencë, por brenda tij ndërtohet një shoqëri e tërë e pushtetit patriarkal mbi të. Rikthimi te trupi si një metaforë e sistemit shoqëror zhvendos premisën qendrore mbi atë se ku në fakt çalon pabarazia gjinore. Pabarazi, kjo e cila kamuflohet dhe paraqitet nëpërmjet pabarazisë ekonomike, duke lënë në sirtarë, të fshehura ngacmimet seksuale, dhunën dhe të cilat janë pikërisht pasoj e marrëdhënies së pushteteve të legjitimuara nga të gjitha mekanizmat social”, ka reaguar ajo

“Por, është e pamjaftueshme të thuhet që kjo i përket vetëm një ideologjie të caktuar, është po ashtu një organizim strategjik i konfirguracionit shoqërorë, është marrëveshje e nënkuptuar në mes shtetit dhe shoqërisë se si e ku të paraqitet dhe të pranohen kufijtë e trupit të gruas. Antropologia Mary Douglas, trupin e përshkruan si një format të fuqishëm simbolik, shpërfaqje të kulturës bazike”, shton tutje Halimi.

Sociologia Halimi thotë se deklarata e Nazim Qehaja janë të ndërlidhura me mendësinë e shoqërisë.

“Prandaj, deklarata e patologut të Dr. Nazim Qehaja, i cili justifikoi dhunimet seksuale, sipas të cilit ndodhin për shkak se një vajzë/grua vishet në një mënyrë që për të konsiderohet e “pamoralshme dhe antikombëtare”, tregon qartazi lidhjen e trupit dhe turpin, dhe çdo grua/vajzë e cila nuk bashkëjeton me këto të dyja, atëherë ajo do të akuzohet edhe për tradhti kombëtare dhe si e tillë rastet e dhunimeve nuk shihen tragjike, sepse konsiderohen të jenë të merituara!”, tha ajo në fund.

KALLXO.com ka raportuar se doktori Nazim Qehaja e kishte arsyetuar dhunën seksuale ndaj grave/vajzave që vishen në mënyrë provokuese.

Doktori kosovar arsyeton përdhunuesit e grave dhe vajzave ‘provokuese’

.