Ilir Meta, FOTO:ZKM

Socialistët propozojnë rishikim të certifikatës së pastërtisë së Metës

Dy projektligje të depozituara nga Partia Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë synojnë të detyrojnë kandidatët për zgjedhje të kërkojnë verifikimin e pastërtisë së tyre nga Sigurimi i Shtetit “për efekte transparence”, ndërsa autorizojnë AIDSSH-në të rishikojë vërtetësinë e certifikatave të lëshuara më herët.

Partia Socialiste propozoi në Kuvendin e Shqipërisë dy projektligje që duket se synojnë të rivlerësojnë certifikatën e pastërtisë të lëshuar më herët për ish-presidentin Ilir Meta duke e detyruar këtë të fundit të kërkojë një certifikatë të re pastërtie në rast se vendos të kandidojë në zgjedhje si dhe duke lejuar autoritetin e dosjeveve të anulojë cerfitikatat e pastra të lëshuara më parë në rast se gjen informacion të ri. Propozimet e socialistëve gjithsesi nuk parashikojnë ndalim të Sigurimsave nga të kandiduarit në zgjedhje dhe as hapje të dosjeve, të cilat vijojnë të mbeten sekret shtetëror.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike zyrtare iu kundërpërgjigj me një propozim që thotë se të gjitha dokumentet e Sigurimit duhet të deklasifikohen në bllok me përjashtim të rasteve kur kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

Ish-presidenti Ilir Meta këmbënguli në një konferencë tjetër për shtyp të premten se ai nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit ndërsa ish-presidenti tjetër Sali Berisha deklaroi se ai vetë e ka parë dosjen në fjalë dhe është i bindur se nuk kemi të bëjmë me Ilir Metën. Meta mori cerfikatë pastërtie nga institucioni aktual në vitin 2017, kur Edi Rama zgjodhi ta bëjë atë president të republikës.

Deputetja Klotilda Bushka lexoi në emër të Partisë Socialiste propozimin për ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë si dhe në ligjin për dosjet. Ajo deklaroi se nisma është “përgjegjësi për brezat e ardhshëm” dhe “detyrim ndaj atyre që vuajtën”.

“Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë apo jo një certifikatë të mëparshme pastërtie,” deklaroi Bushka.

Ndryshimet në ligjin e vitit 2015 që krijoi AIDSSH-në synojnë të heqin kufizimin që ky ligj i ka caktuar institucionit për rishikimin e vendimeve të një institucioni të mëparshëm të vitit 1995, i cili duket se i ka dhënë Ilir Metës dhe personave të tjerë politikanë të dyshuar si bashkëpunëtorë të Sigurimit, certifikatë pastërtie. Ligji i vitit 2015 autorizonte AIDSSH-në të verifikonte personat e pakontrolluar nga komisionet i vitit 1995 e 1997 i njohur si Komisioni Bezhani, por nuk mund të rishikonte certifikata pastërtie të lëshuara nga këto komisione për politikanë të ndryshëm.

Ndryshimi tjetër në Kodin Zgjedhor synon të detyrojë kandidatët të kërkojnë certifikatë pastërtie nga Autoriteti i Dosjeve. Me pak fjalë, nëse Meta dëshiron të kandidojë në zgjedhje, atij do t’i duhet t’i drejtohet autoritetit për një certifikatë të re. Në rast se del bashkëpunëtor, atij nuk i ndalohet të kandidojë. Sipas propozimit të socialistëve, arsyeja e verifikimit të kandidatëve është “për qëllime të transparencës së pastërtisë së figurës.”

Dosjet që përndjekin shqiptarët

Sigurimi i Shtetit funksionoi si polici politike përgjatë periudhës 45 vjeçare të sundimit komunist, duke arrestuar kritikët e qeverisë komuniste, duke i torturuar e duke i zhdukur pa gjurmë. Arkiva e tij ishte pjesë e Ministrisë së Brendshme deri në vitin 1992 kur u vendos të ndahej mënjanë për t’u depozituar në disa ndërtesa në zonën e njohur si Rrapi i Treshit në Tiranë.

Sipas të dhënave të para nga BIRN pas një kërkese për të drejtë informimi, në vitet 1980, Sigurimi kishte një rrjet punonjësish dhe bashkëpunëtorësh prej rreth 14 mijë vetësh në të gjithë territorin e Shqipërisë, afërsisht 1 spiun apo operativ për 200 banor. Nëse marrim parasysh se gati gjysma e popullsisë në atë kohë ishin fëmijë, Sigurimi kishte një spiun apo operativ për çdo 100 shqiptarë maxhorenë.

Në vitin 1995, qeveria e Partisë Demokratike miratoi një ligj që synonte ndalimin e ish-zyrtarëve të regjimit komunist të garonin në zgjedhje. Ligji në fjalë u kritikua si i njëanshëm dhe i tillë që synonte të dobësonte opozitën, e cila ishte Partia Socialiste, pasardhëse e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës. Ligji në fjalë u shfuqizua në shumicën dërrmuese nga Gjykata Kushtetuese pasi socialistët erdhën në pushtet në vitin 1998, me përjashtim të një neni, i cili sanksiononte që arkiva e sigurimit të mbetej sekret për 25 vjet, nën ruajtjen e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Përgjatë tre dekadave, akuzat kanë fluturuar nga të gjitha anët për politikanë të ndryshëm si bashkëpunëtorë të regjimit komunist apo si spiunë të Sigurimit, por asgjë nga këto fjalë nuk mund të verifikohej për shkak se arkiva mbahej sekret.

Në vitin 2015, socialistët miratuan një ligj të ri, në bazë të së cilit, supozohej se dosjet do të hapeshin. Shtatë vjet pas, një numër minimal dosjesh është bërë publik ndërsa procedurat e aksesit të arkivës janë të kushtueshme dhe me afate të zgjatura. Por ligji i vitit 2015 duket se arriti edhe diçka tjetër: ndërsa ligji i vitit 1995 sanksiononte një afat 25 vjeçar për ruajtjen e arkivës si sekret, ligji i ri praktikisht ka caktuar ruajtjen e sekretit pa afat.

Shantazh

Ish-presidenti Ilir Meta ka dominuar politikën shqiptare që prej tre dekadash, duke qenë deputet, ministër, kryeministër e president. Ai është me gjasa edhe politikani më i akuzuar për korrupsion.

Megjithatë, pavarësisht se lëkura duhet t’i jetë rregjuar nga akuzat e panumërta, ai u shfaq shumë i zemëruar nga kjo e fundit, aludimi se ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit.

Të premten ai deklaroi se partia e tij është e gatshme të mbështesë sugjerimin se vendi ka nevojë për transparencë për bashkëpunëtorët e Sigurimit, por shtoi gjithashtu se sistemi aktual politik duket se mbështetet te shantazhi.

“Partia e Lirisë është në krye të betejës për të shembur këtë sistem të kalbur të shantazhit që bëhet jo në emër të kujdesit për të kaluarën dhe për viktimat e tij, por bëhet me metodat më të shëmtuara, më banale të ish sigurimit të Shtetit për të spostuar vëmendjet nga grabitjet e llahtarshme që po i bëhen popullit dhe dështimet katastrofike e për të mbajtur në shantazh deputetë politikanë gazetarë e biznemenë,” deklaroi Meta.

Në Shqipëri është e përfolur gjerësisht se mijëra njerëz përgjatë tridhjetë viteve të fundit kanë qenë pengje të së shkuarës së vet, jo aq shumë për pasojat juridike të të qenit bashkëpunëtor i sigurimit (Shqipëria nuk ka ndërmarrë lustracion dhe nuk i ka ndaluar persekutuesit të bëjnë çfarëdolloj profesioni që u pëlqen dhe të mbajnë çfarëdolloj posti publik), por për shkak të imazhit publik negativ që mbart të qenit spiun i Sigurimit.

Arkiva e Sigurimit ka qenë sekret për shqiptarët por jo për udhëheqësit e tyre politik. Në fakt BIRN disponon prova se qeveritë shqiptare kanë pasur akses në këtë arkivë përmes një vendimi qeverie të klasifikuar sekret. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 224, datë 19.5.1993, cakton mënyrat dhe procedurat se si aksesohet arkiva e sigurimit dhe përmbajtja e vendimit vijon të klasifikohet sekret edhe nga qeveria e sotme e kryeministrit Edi Rama. Me pak fjalë, kryeministrat kanë pasur mundësi që të aksesojnë arkivën e sigurimit për të parë se kush ka qenë spiun e kush jo, me potencialin për të përdorur këtë informacion për shantazh.

Berisha, i cili ka pasur këtë akses për Ilir Metën, këmbënguli të premten në një konferencë për shtyp se ai nuk ka qenë spiun.

“Pas verifikimit të dokumenteve, unë deklarova dy ditë më parë që gjithçka është një trillim i paskrupullt i Edi Ramës dhe i turpshëm i një njeriu në panik pa asnjë moral që përdor shpifjen kunddër kundërshtarëve politikë,” deklaroi Berisha.

Edhe Meta duket se është i bindur se Berisha është një argument shtesë se pse ai nuk ka qenë spiun.

“Autoriteti Dosjeve e di më mirë se kushdo që Ilir Metaj nuk ka qenë ndonjëherë bashkëpunëtor i Sigurimit se ka qenë e provuar që në kohën e të madhërishmit Sali Berisha atëherë por e di shumë mirë se kush ka qenë bashkëpunëtori në rastin konkret se ajo ndodhet në dy dosje, në dosjen e bashkëpunëtorit dhe të personit të ndjekur,” deklaroi ai.

Sa për shqiptarët, ata nuk e kanë të drejtën të kenë akses në arkivin e sigurimit dhe nuk kanë mundësi që të verifikojnë me ndonjë shkallë vërtetësie të pranueshme se kush është gënjeshtari në këtë histori shantazhi që vijon prej tre dekadash./reporter.al