Foto: Ilir Meta / facebook

Socialistët kërkojnë nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri

Partia Socialiste ka kërkuar të premten nga Kuvendi nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i kërkoi të premten kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që të inicojë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa mandati i presidentit aktual përfundon më 25 korrik.

Balla i propozon Nikollës që të mbledhë Konferencën e Kryetarëve me datë 29 prill për nisjen e procesit në mënyrë që raundi i parë i votimit të kryhet në datë 4 maj. “Propozoj që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës të kryhet në një seancë plenare të posaçme, e cila të mbahet më datën 4 maj 2022”- shkruan ai në një shkresë dërguar Kryetares së Kuvendit.

Afati kushtetues për nisjen e këtyre procedurave është jo më vonë se 60 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që i bie data 24 maj. Por, socialistët duke ndjekur dhe praktikën e mëparshme kur presidenti është zgjedhur më herët se sa afatet fundore, kërkojnë që deri në fund të majit të kenë zgjedhur presidentin e ri.

Sipas eskpertit ligjor, Kristaq Kume, nisja e procedurave në këtë moment nuk është e parakohshme dhe në çdo rast mandati i presidentit të ri nuk nis deri më 24 korrik, kur parashikohet ligjërisht të jetë dhe dita e betimit në Kuvend.

“Duke iu referuar ligjit në të cilin përcaktohet, jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit, angazhimi i mazhorancës për këtë proces nuk kundërshtohet nga ligji, ashtu sikurse është edhe në të njëjtën kohë përsëritje e praktikave të mëparshme”- sqaroi Kume për BIRN.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi më 29 prill 2017 dhe u betua si president gati 3 muaj më pas, 24 korrik.

Sipas Kumes, procedura në kuptim ligjor të fjalës fillon kur Kuvendi angazhohet në plotësimin e kësaj detyre kushtetuese dhe brenda 7 ditëve organizohet raundi i parë i votimit.  “Mund të bëhen, mund të mos bëhen propozimet për kandidatët dhe kjo nuk e pengon procedurën”- thotë Kume, duke sqaruar se raundi i votimit mund të realizohet dhe pa patur kandidatë dhe kjo gjë mund të ndodhë në 3 raundet e para.

Sipas Kumes, më shumë se sa respektimi i afateve dhe procedurave ligjore, ky është një moment që duhej të shërbente për realizimin e një procesi gjithpërfshirës në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ku politika ka mundësinë të angazhojë shoqërinë civile dhe qytetarët.

“Ndjekja e procedurës për të shkuar deri tek propozimet që mund t’i bëhen Kuvendit duhej të ishte një proces konsultimi dhe shqyrtimi të kandidaturave nga të gjithë grupet e interesuara, apo qytetarët,  jo vetëm nga partitë politike”- propozon Kume. Dhe pse gjithsesi, shton ai, “çdo emër që do të vinte do t’i nënshtrohej detyrimit për të mbledhur firmat e 20 deputetëve që të quhej kandidat zyrtar”.

Sipas Kumes kërkesa për angazhimin e shoqërisë civile në proces duhet të jetë e vërtetë dhe jo vetëm për të krijuar një sfond të bukur procesit dhe në fund mazhoranca të zgjedhë e vetme presidentin.

Në Kushtetutë thuhet se Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit, por mënyra e zgjedhjes i jep mundësinë partisë në pushtet që të zgjedh një kandidat të saj, pasi procesi nis raundin e 1-rë të votimit që kërkon 94 vota dhe në raundin e 4-ët mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë ose 71 vota.

“Në qoftë se do të kishe patur vullnet për ta bërë ishte koha që presidenti të zgjidhej me votë popullore”- shton Kume, por sipas tij, edhe një zgjedhje 94 vota është shumë më e mirë se sa me shumicë të thjeshtë. Një president i tillë do të ishte jo aq lehtë i atakueshëm nga partitë politikë mendon Kume.

Presidenti aktual Ilir Meta drejtonte një parti në koalicionin qeverisës me PS-në në 2017-ën kur u zgjodh president dhe para se të betohej u përfshi në fushatë elektorale kundër partisë që e zgjodhi për shkak të prishjes së koalicionit.

Meta e kaloi mandatin e tij si president në këtë konflikt të vazhdueshëm politik me partinë në pushtet dhe ndaj tij u ngritën 2 komisione hetimore për t’a shkarkuar. Mazhoranca votoi për shkarkimin e tij në vitin 2021, vendim i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese duke i lënë Metës mundësinë të përfundonte mandatin./reporter.al