Rumania, ilustrim :Pixabay

Socialdemokratët në pushtet tërhiqen nga bisedimet për koalicionin në Rumani

E majta rumune në pushtet, Partia Socialdemokrate (PSD), është tërhequr të enjten, më 19.12.2024, nga bisedimet për koalicionin e ri qeveritar, ka njoftuar kryeministri Marcel Ciolacu. Vendimi do ta thellojë krizën aktuale politik – raporton Reuters.

Tri palë raund Zgjedhjesh për Presidentin dhe Parlamentin e Rumanisë rezultuan me ngërç, pasi një kritik pak i njohur i ekstremit të djathtë të anti-NATO-s fitoi raundin e parë presidencial, më 24 nëntor, duke shtyrë Gjykatën e lartë rumune ta anulonte procesin zgjedhor me dyshimin për ndërhyrje ruse.

Megjithëse, PSD-ja fitoi shumicën e mandateve në Zgjedhjet Parlamentare të 1 dhjetorit, tri grupime ultranacionaliste dhe të së djathtës, disa me simpati të hapura pro-ruse, fituan më shumë se një të tretën e mandateve, duke u kthyer në forcë politike të zorshme për t’u injoruar.

PSD-ja ishte në bisedime për formimin e një koalicioni të gjerë, me tri parti të tjera pro-Bashkimit Europian, në përpjekje që të linte në margjina të djathtën ekstreme, por të katërt u përplasën për planet e Reformës dhe masat e nevojshme për uljen e deficitit më të madh buxhetor në një vend të BE-së.

“Fatkeqësisht, nuk mund të ndërtoni diçka të qëndrueshme me partnerë, që janë të paaftë që të lënë anash egon dhe klishetë e tyre ideologjike.” – ka deklaruar Ciolacu, në llogarinë e tij në Facebook. “Ne jemi të gatshëm të votojmë për një Qeveri të pakicës, në mënyrë që Rumania të ketë stabilitet politik.”

Presidenti rumun, Klaus Iohannis, mandati i të cilit skadon më 21 dhjetor e i cili do të emërojë një Kryeministër të ri dhe do të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet zëvendësuesi i tij, ka deklaruar se Qeveria e pakicës nuk është ide e mirë në kohë krize.

Liberalët e qendrës së djathtë, centristët e Unionit Shpëtojeni Rumaninë (USR), partia etnike hungareze UDMR dhe përfaqësues të pakicave etnike kanë rreth një të tretën e mandateve në Parlamentin e ri, i cili do të betohet të shtunën.

Ishte gjithashtu e paqartë nëse tri partitë e tjera janë të gatshme të vazhdojnë bisedimet e koalicionit pas tërheqjes së PSD-së. 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com