Rumania, ilustrim :Pixabay
Socialdemokratët i fitojnë Zgjedhjet në Rumani
Parlamenti dhe Qeveria e ardhshme rumune do ta vazhdojnë ,,strategjinë e fortë kombëtare – pro BE, pro NATO dhe pro Ukrainë” – pavarësisht rritjes së mbështetjes, për garuesit ultranacionalistë – ka raportuar, të hënën, më 2.12.2024, Euronews, pas Zgjedhjeve Parlamentare të së dielës.
Me më shumë se 99% të votave të numëruara, Partia Socialdemokrate (PSD) majtiste në pushtet është në rrugë të mbarë, që t’i fitojë Zgjedhjet Parlamentare të fundjavës.
Socialdemokratët kanë fituar 23% të votave – duke ruajtur epërsinë prej më shumë se 5%, kundrejt së djathtës ekstreme, Aleanca për Unitetin e Rumunëve (AUR). Kjo e fundit ka fituar vendin e dytë, me 18% të mbështetjes.
E djathta e Qendrës, Partia Liberale Kombëtare (PNL) ka dalur e treta me 14.4%. Ndërkaq, partia reformiste, Unioni për Shpëtimin e Rumanisë (USR) ka marrë 12% të përkrahjes.
Tri parti të tjera ia kanë dalur ta kalojnë pragun prej 5%, për të hyrë në Parlament.
Partitë e së djathtës ekstreme (S.O.S. Romania, Aleanca Demokratike e Hungarezëve në Rumani) dhe, partia më pak e njohur e së djathtës, Partia e të Rinjve, kanë fituar: 7.5, 6.5, respektivisht 6.2%.
Zgjedhjet Parlamentare janë mbajtur tri javë pas raundit të parë kundërthënës, të Zgjedhjeve Presidenciale – në të cilat, kandidati i pavarur, me pikëpamje të së djathtës ekstreme, Calin Georgescu, fitoi shumicën e votave.
Kryeministri aktual, Marcel Ciolacu, ka dalur i treti në Zgjedhjet Presidenciale – duke dhënë dorëheqje, si lider i PSD-së.
Ai ka paralajmëruar, se: ,,duhet t’i shikojmë me kujdes rezultatet” – duke lënë të kuptohet se, rumunët kanë përçuar ,,një sinjal të fuqishëm për klasën politike”.
Georgescu do të përballet, në balotazh, me kandidaten e USR-së, Elena Lasconi, në Zgjedhjet e 8 Dhjetorit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com