Ndotja e ajrit në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi

Smogu dhe pasojat e ndotjes së rrezikshme të ajrit në Kosovë

Akumulimi i grimcave dhe gazrave ndotëse në ajër që qëndron brenda një kohe të caktuar në një zonë, ndryshe i njohur si smogu, është një ndër treguesit për nivelet e larta të ndotjes së ajrit në vend.

Ekspertët kanë treguar për KALLXO.com se ndër vite, në Kosovë janë tejkaluar vlerat normale të nivelit të ndotjes dhe në zona të caktuara janë krijuar smogje të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Akumulimi i ndotjes së arjit, në veçanti në zona urbane, sipas Institutit të Shëndetit Publik mund të shkaktojë edhe përkeqësime shëndetësore te personat me sëmundje respiratore dhe në raste më të rënda vdekjen.

Sa shpesh krijohet smogu në Kosovë?

Gjatë sezonës së dimrit në janar të vitit 2021, në Kosovë janë shënuar dy ditë kur është paraqitur smogu.

Më 20 janar është vërejtur se ka pasur smog në kryeqytet Prishtinë, kurse më 19 janar është vërejtur në Pejë dhe Prizren.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës këto dy data kanë qenë ditët më kritike në 2021.

Shkumbin Shala, Specialist për Cilësi të Ajrit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se smogu është fenomen i ajrit të ndotur dhe paraqitet në qytetet e mëdha gjatë vjeshtës dhe dimrit ku dominojnë ndotjet e mëdha në një hapësirë të vogël qoftë nga industria, çoftë nxehjet dhe faktorët e tjerë antropogjen.

Shala tha se smogu paraqitet në zona urbane dhe sipas tij sa herë që paraqiten vlerat e larta me ndotje të ajrit shoqërohen edhe me smog.

Të dhënat e Institutit tregojnë sej vendet ku paraqitet smogu më shpesh janë Prishtina, Obiliqi, Mitorovica, Drenasi, Peja, Gjilani, Hani i Elezit.

“Smogu mund të ndërmerret edhe përmes lagështisë së ajrit dhe përmes dukshmërisë relative që e vëren eksperti që e mat smogun këtë rast. Smogu nuk matet si dukuri e vetme, por smogu mundet me u mat përmes interpretimit të parametrave tjerë meteorologjik qoftë te lagështia e ajrit, qoftë te shtypja atmosferike, qoftë përmes dukshmërisë”, tha ai.

Gjendja sa i përket ndotjes së ajrit dhe paraqitjes së smogut nuk ishte e mirë gjatë vitit të kaluar, sipas IHMK-së.

Në dhjetor 2020 smogu është paraqitur më 23 dhetor në Pejë ndërsa më 4 dhjetor në Prizren.

Sipas Shalës, bazuar në matjet që i kanë të regjistruara janë mbi 100 ditë të regjistruara me tejkalime (të nivelit të ndotjes) në vitet 2011, 2012, 2013, ndërsa sipas tij viteve të fundit nuk kanë regjistruar vlera kaq të larta.

Në Prishtinë në vitin 2020, Shala tha se kanë regjistruar deri në 70 ditë me tejkalime.

“E vitet e më hershme kanë vite me vlera më të mëdha. Ekziston sërish ndotja sepse me direktivë lejohet deri 35 ditë tejkalimi brenda një viti dhe ne kemi regjistruar 70 ditë. Kemi zbritje me krahasuar me vitet e kaluara por nuk kemi zbutje nën standardin e lejuar që për PM10 lejohet që 35 ditë me qenë me tejkalime e ne e kemi kaluar këtë standard brenda një viti kalendarik”, tha Shala.

Sipas statistikave që zotëron instituti, brenda një viti 5 milionë njerëz vdesin nga smogu, persona këta të cilët kanë edhe sëmundje shoqëruese.

Pasojat e ‘ajrit të zi’ në mushkëri 

Rrezikun nga kalimi i parametrave të lejuara të ndotjes së ajrit e parashesh edhe Instituti i Shëndetit Publik.

Era Pireva,  zyrtare për informim në IKShPK, ka thënë se më të rrezikuarit nga smogu janë moshuarit, të sëmurët kronikë,shtatzënat dhe fëmijët.

Sipas Institutit, prania e smogut shkakton disa përkeqësime të shëndetit.

“Prania e smogut rrite morbiditetin respirator dhe kardiovaskular siç janë; përkeqësimet e astmës, simptomet respiratore dhe rritja e pranimeve spitalore; si dhe ndikon edhe ne shkallen e mortalitetit nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratorë”, tha Pireva.

Pireva ka treguar edhe hapat se si mund të mbrohen personat të cilët rrezikohen nga smogu.

“Mundësisht të shmangin aktivitetet e tyre jashtë kur ka smog të bartin maska ose shallë kur ndodhën jashtë”, janë këshillat e IKShPK-së.

Sa i perket shkaqeve te vdekjeve si pasoje e ndikimit nga ajri i ndotur, Pireva tha se bazohen në mortalitetin respirator dhe kardiovaskular.

Gjatë vitit 2018, ajo tha se kanë pasur në total 260 mijë e 924 vizita ku 27 mijë e 787 kanë qene vizita nga sëmundjet e traktit respirator dhe 55 mijë e 049 vizita nga sëmundjet kardiovaskulare.

Ndryshe, Smogu ose mjegulla toksike sipas IKShPK-së, përfaqëson ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole.

Sipas IKShPK-së, ekzistojnë dy lloje të smogut, ai në të cilin dominon dioksidi i sulfurit që është me prejardhje industriale dhe nga djegia e lëndëve fosile, që quhet smog i zi. Sipas këtij instituti tymi është pjesë përbërëse e smogut dhe paraqitet në dimër kur ekzistojnë kushtet për akumulimin e ndotjes së ajrit (situatë kohore stabile, inverzioni i temperaturës, terreni fushëgropë, emetimi i dioksidit të sulfurit nga industria dhe djegiet shtëpiake dhe ngrohtoret).

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.