Smakiqi: Unë po kallxoj përnime që jam i pavarur politikisht

Anipse zyrtarisht ka qenë pjesë e dy partive politike, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Nismës Socialdemokrate, madje, me këtë të fundit ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2019, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, ka thënë se ai është i pavarur politikisht.

Smakiqi u zgjodh kundërligjshëm në krye të Postës së Kosovës në fillim të muajit mars nga një bord i përkohshëm anëtarët e të cilit kanë prapavijë politike.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Xhevdet Smakiqi ka thënë se është i pavarur dhe zgjedhja e tij ishte në plotëni me ligjet.

“Për herë të parë një bord i Postës ia ka mundësu BIRN-it me e monitoru një konkurs. Si kandidat unë e kam pavarësinë e plotë si kryeshef që nuk jam në ndikim të asnjë partie politike, kjo bëhet në kuptim të veprimeve ditore, te unë nuk mund të ndikojë askush sa i përket interesit të ndërmarrjes publike, qoftë naj kontratë, apo punësim”, ka thënë ai.

“Unë me ditë që jam kundërligjshëm, unë dha dorëheqje se nuk jam tu dek, bile kjo po më bën me stres… Unë po kallxoj pernime që jam i pavarur. Prej Nismës kam thënë dorëheqje në shtator 2020”, deklaroi kryeshefi i zgjedhur i Postës së Kosovës.

Por, me këtë nuk është pajtuar Visar Prebreza, redaktor në KALLXO.com. Ai ka thënë se zgjedhja e Smakiqit është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi personat të cilët janë aktivë në politikë në 36 muajt e fundit, u ndalohet të zgjidhen në pozita të larta menaxheriale, siç është edhe pozita e kryeshefit ekzekutiv.

“Ligji për Ndërmarrjet Publike, neni 17.2 është qitë aty një fjali në fillim, por interpretimi po thotë që neni 21 është kryesori që duhet me u zbatu në këto raste. Ligji e shpjegon edhe termin “i emëruar politik”, nënkupton personin që është i emëruar ose i propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur. A po i bjen kandidati për deputet?. Neni 21, a e përmend pavarësinë politike?”, deklaroi Prepreza.

www.kallxo.com