Smajl Latifi niset për Hagë

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është nisur për në Hagë për t’u intervistuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Nisjen e Latifit për Hagë e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut, Avni Morina, drejtor i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Rahovecit.

“Ti sot po nisesh për të shkuar në Hagë, ku të ftuan dhomat e specializuara, të cilat janë mbarsur me lloj lloj shpifjesh e intrigash të kurdisura nga ata që nuk e deshën kurrë lirinë tonë kombëtare. Po thonë se të kanë ftuar të dëshmosh për periudhën e luftës çlirimtare, të cilën ata nuk e kanë pranuar asnjëherë si të tillë dhe ti çlirimtari ynë, ke mjaft se çfarë t’u thuash atyre”, ka shkruar mes tjerash Morina.

Gjatë kohës së luftës, Smajl Latifi ka qenë një prej komandantëve në zonën e Rahovecit.

Thirrjen për intervistim nga Specialja, Latifi e kishte bërë të ditur në muajin tetor të këtij viti.

Edhe Ish-kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli javën e kaluar është kthyer në Kosovë pas intervistimit në Hagë nga Gjykata Speciale.

Para tij, në këtë Gjykatë ishte ftuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili pas marrjes së ftesës kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Përveç Veselit e Haradinajt, Gjykata Speciale ka ftuar shumicën e komandantëve të UÇK-së në intervistë.

Megjithëse për intervistim janë ftuar dhjetëra persona, Gjykata Speciale ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët patën votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.