Foto: Ilustrim

Smajl Latifi: Bujqit që nuk janë të certifikuar, mund të paijsen nga nesër

Ndryshimi i vendimit të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes ka krijuar panik tek bujqit për orarin e shkurtë për qarkullim për të punuar tokat e tyre.

Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë njoftoi minuta më parë se bujqit dhe fermerët duhet të jenë të pajisur me certifikatë dhe se orari i qarkullimit për bujqit individual të pajisur me Numër Identifikues të Fermës (NIF), vetëm për të punuar në fermat e tyre do të jetë nga ora 6:00 deri në 20:00.

Lidhur më këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi për të pyetur nëse bujqit dhe fermerët e kësaj komunë janë të pajisur me NIF.

Latifi deklaroi se edhe ata që nuk janë të pajisur me certifikatë munden që nga nesër të pajisen dhe të vazhdojnë punën e tyre.

“Ne kemi qenë në një presion të jashtëzakonshëm nga fermerët dhe bujqit. Ka qenë një situatë që ata nuk janë pajtuar kurrsesi, ne jemi solidarizuar dhe jemi pajtuar për të luftuar për një zgjidhje konkrete. Ne i kemi të regjistruar fermerët, bujqit në Komunën e Rahovecit”, deklaroi kryetari Latifi.

“Ata që kanë marrë certifikata e regjistrimit si fermer nuk kanë nevojë me ardh sepse e kanë lejen për të punuar tokën e tyre, kurse ata që s’kanë mund të pajisen që nga nesër. E kemi të gatshme procedurën dhe pajisjen me certifikata dhe vazhdojnë punën e tyre”, deklaroi Latifi për KALLXO.com

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa bëri të ditur sot se bujqit e pajisur me NIF do të jenë të lirë të punojnë në fermat e tyre dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit.

Për të qarkulluar, bujqit duhet në çdo kohë të kenë me vete: Certifikatën e Regjistrimit të Fermerit; Aneks 1 të Certifikatës, Shënimet e Fermerit të Regjistruar dhe Letërnjoftimin.

Ndërsa, të punësuarit në fermë duhet të pajisen me “Vërtetim për lëvizje të lirë”, i cili plotësohet nga pronari i fermës të cekur në Certifikatën e Regjistrimit të Fermerit.

Vërtetim për lëvizje të lirë mund të shkarkohet në faqen e internetit të MBPZhR-së www.mbpzhr-ks.net.

Këta të punësuar do të jenë të lirë të punojnë dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore në fermën ku janë punësuar, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit. Për të qarkulluar, të punësuarit duhet në çdo kohë të kenë me vete:

Kopjen e Vërtetimit për lëvizje të lirë, të plotësuar dhe nënshkruar nga pronari i fermës;

Kopjen e Certifikatës së Regjistrimit të Fermerit, të fermerit që i ka punësuar;

iii.       Aneks 1 të Certifikatës – Shënimet e fermerit të regjistruar, të fermerit që i ka punësuar;

Letërnjoftimin personal të tyre;

–           Kemi përfshirë NACE kodet për leje pune për të gjitha bizneset e zinxhirit të kultivimit, grumbullimit, përpunimit, të ushqimit, etj.

Kujtojmë se sot gjatë ditës ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa për këtë çështje.

Ai ka pyetur se si mund t’i mbjellin tokat e tyre bujqit kosovarë pas vendimeve të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Mustafa pyet ekzekutivin në detyrë: Si t’i mbjellin tokat bujqit kur nuk guxojnë dalin?