Zgjedhjet parlamentare në Sllovaki - Foto: AFP

Sllovaki, partia anti-korrupsion fiton zgjedhjet

Partia anti-korrupsion OLaNO (qendër e djathtë, opozitë) ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të shtunën në Sllovaki, me 25,0% të votave, para populistëve të qeverisë aktuale, thonë rezultatet pothuajse të plota.

“Qytetarët dëshirojnë që ne ta pastrojmë Sllovakinë. Ata dëshirojnë që ta bëjmë Sllovakinë një vend të drejtë, ku ligjet do të zbatohen për secilin”, ka thënë para gazetarëve Igor Matovic, lider i OLaNO, raporton AFP.

Sipas parashikimeve, partia e tij do të marrë një shumicë absolute, 77 ulëse në parlamentin me 150 deputetë.

Kryeministri aktual, Peter Pellegrini, e ka pranuar disfatën e partisë së tij Smer-SD (18,4%, 39 ulëse).

“Urime fituesit”, ka thënë Pellegrini para mediave natën mes të shtunës dhe të dielës.

Ai ka përmendur mundësinë e një “koalicioni pajtimi” me OLaNO.

“Mos thuaj kurrë ‘kurrë‘”, ka thënë ai para gazetarëve të cilët e kanë pyetur për një mundësi të tillë, ndonëse ka sugjeruar që kjo pyetje t’i bëhet Matovicit.

“Nuk bëhet fjalë. Nuk negociojmë me mafinë”, është përgjigjur Igor Matovic, raporton AFP.

Në rezultatin zgjedhor ka luajtur rol dëshira e një pjese të qytetarëve të vendit për t’i dhënë fund një epoke të përshkuar me korrupsion dhe vrasjen e gazetarit Jan Kuciak, i cili kishte hulumtuar rreth këtij fenomeni endemik.

Igor Matovic, themelues dhe lider i OLaNO (Njerëz të rëndomtë dhe personalitete të pavarura), pritet të negociojë një koalicion eventual me partitë SME Rodina (e djathtë populiste, 17 ulëse) dhe liberalët  e SaS (13 ulëse), por edhe me Për Popullin  (12 ulëse).