Slavisha Petkoviq kundër ndarjes, hidrocentraleve dhe privatizimit të Telekomit

Slavisha Petkoviq po kërkon votën e komunitetit serb në Kosovë si pjesë e koalicionit ‘Sloboda’ (Liria) e udhëhequr nga Nenad Rashiq.

Koalicioni ‘Sloboda’ është i përbërë nga partitë PDS dhe NPK si dhe disa iniciativa qytetare, ndërsa po shihet si rivale e Listës Serbe dhe se synimi i këtij koalicioni është fuqizimi i serbëve të Kosovës brenda institucioneve të vendit, thonë kandidatet e këtij koalicioni.

“Do të luftojmë për të zgjidhur problematikat e komunitetit serb, fillimisht mbrojtja e komunitetit, siguria e tyre jetësore dhe ekonomike”, thotë Petkoviq për KALLXO.com.

Por, sipas Petkoviq, ka shumë sfera tjera që do të angazhohet nëse fiton besimin e qytetarëve dhe fiton ulësen në Kuvendin e Kosovës.

Petkoviq nëse fiton votat e mjaftueshme tha se do të vazhdon të ushtron detyrën e deputetit dhe se nuk synon ndonjë post në qeverinë e ardhshme.

I pyetur se a do të largohej nga koalicioni që i takon Petkoviq me buzëqeshje përgjigjet “Zoti na ruajt, jo jo assesi” duke shtuar se Koalicioni ‘Sloboda’ përbëhet nga njerëz seriozë dhe me eksperiencë në skenën politike dhe se nuk do të ndodhte që grupi i tyre parlamentar të dalin në Kuvend para se të dakordohen për tema të ndryshme.

Përpos që do t’i ndihmojë komuniteti serb, Petkoviq thotë se do t’i ofrojë ndihmë dhe përkrahje cilitdo qytetar të Kosovës kur ka çfarëdo lloj diskriminimi.

Ambienti dhe ndotja e ajrit për Petkoviqin është situatë kaotike dhe ka mjaft punë për të bërë.

“Janë miratuar ligje të ndryshme evropiane që nuk po respektohen”, thotë Petkoviq.

Ai është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, sepse qymyrin e konsideron një nga ndotësit kryesor të ajrit, por përdorimi i qymyrit për ngrohje nëpër shtëpi gjatë dimrit varet nga standardi i qytetarëve mendon Petkoviq, përderisa është kundër përdorimit  të qeseve plastike.

Nëse Telekomi i Kosovës është ndërmarrje profitabile, Petkoviq është tërësisht kundër shtijës së saj.

“Nëse qeveria çdo vit duhet t’ia mbulojë humbjet nga buxheti çdo vit, atëherë nuk ka kuptim të vazhdon në këtë situatë, por mendoj që duhet të themelojë marrëdhënie partneriteti me ndonjë kompani ku Qeveria e ardhshme do të ndalte një pjesë të pakos në pronësinë e saj”, mendon Petkoviq që është zgjidhja e duhur për Telekomin e Kosovës.

Petkoviq nuk e kundërshton ndërtimin e autostradës së Dukagjinit. “Ku me marrë me pasë autostrada anembanë Kosovës”, thotë ai.

Shkëmbimi i territoreve me Serbinë është një plan i pakuptimtë për Petkoviqin, “Absolutisht kundër kësaj ideje jam”, thotë Petkoviq.

Petkoviq është kundër bllokimit të tregtisë së lirë, dhe mendon se taksa dhe doganat nuk janë legjitime.

“Nuk mendoj që kjo është taksë, duhet të quhet Doganë, por në Serbi iu pëlqen ta quajnë taksë, sepse nuk u pëlqen doganë sepse në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshjen doganore për kufijtë”, shtoi Petkoviq.

Petkoviq është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës, ndërsa thotë se është kundër çdo forme të monopolit përfshirë edhe homologimin.

“Unë jam kundër, absolutisht kundër”, thotë Petkoviq i pyetur për martesat e gjinisë së njëjtë.

Petkoviq thotë se nuk mund t’ua mohojë personave tjerë fenë dhe besimin e tyre. “Unë nuk kam problem me bartjen e shamive nëpër shkolla, vetëm nëse secila fe me shpërndarje rrezikon dikë tjetër, në atë rast do të isha kundër”.

Fushatën e tij Petkoviq po e financon personalisht, dhe se në rast se zgjidhet si deputet thotë se nuk do të marrë detyra tjera pos asaj të deputetit.

“Shëndetësia në Kosovë është në gjendje katastrofale”, thotë Petkoviq, duke aluduar në atë publike. Sipas tij, shëndetësia është në gjendje të tmerrshme dhe se çdo qeveri e ardhshme duhet të ketë vëmendje maksimale për rritjen e nivelit të kujdesit shëndetësor, thotë Petkoviq.

Petkoviq nuk ka anëtarë të familjes të papunë të cilët do t’i punësonte nëse zgjidhet deputet, përderisa fëmijët e tij thotë të jenë shkolluar në shkolla publike.

Trepça është dashur të privatizohet para 50 viteve, thotë Petkoviq. “Nuk duhet të jesh as doktor shkence as inxhinier për të kuptuar se Trepça është në probleme dhe se ajo si e tillë nuk mundet pa një dorë të fuqishme private.  Mendoj se nëse Trepça nuk privatizohet, nga ajo s’ka gjë. Do të shkatërrohet 100%”, thotë Petkoviq .

Takimet me qytetarët Petkoviq thotë se do t’i ketë të përditshme, ndërsa veturat që janë më vjetra se 10 vite Petkoviq mendon se nuk duhej të lejohen të importohen në Kosovë.

Nëse Petkoviq do të dilte para drejtësisë në të ardhmen, thotë se menjëherë do të jepte dorëheqje nga mandati i deputetit. “Kundër meje aktakuzë, jo asnjëherë nuk besoj, por po menjëherë do të ofroj dorëheqje”.

Ndërsa nëse aktakuza i ngritët kryeministrit Petkoviq thotë se pa diskutim që kryeministri do të duhej të jepte dorëheqje.

Qeveria e ardhshme nuk do të duhej të kishte më shumë se 15 ministri pasi që është barrë e marrë për buxhetin sipas Petkoviqit, por se kjo nuk vendoset nga deputetët minoritar.

Petkoviq mendon se duhet vlerësuar puna e një Ministrie dhe ngarkesa e punës për t’u caktuar zëvendës ministrat dhe këshilltarët, pra sipas nevojës së punës. “Nuk duhet t’i caktohen zëvendësministrat dhe këshilltarët në bazë të marrëveshjeve partiake”.

Në fund të intervistës për KALLXO.com, Petkoviq thotë se nuk to të votonte asnjëherë për njerëzit që nuk i plotësojnë kriteret për t’u emëruar në bordet e ndërmarrjeve publike.

Të gjitha fondet e partisë dhe shpenzimet e qeverisë apo pozitave eventuale që do t’i ketë Petkoviq premton se gjithnjë do të jenë të hapura për publikun.