Skoci, pilotohet java katër ditëshe

Skocia pritet të bëhet njëra nga shtetet që do ta pilotojë shkurtimin e ditëve të punës gjatë javës, raporton BBC.

Një raport i publikuar sot përmban disa ide për mënyrën se si do të mund të bëhej, duke marrë si shembull përvojën e Islandës dhe Zelandës së Re.

Kthimi në pikën ku kemi qenë më shumë se 18 muaj më parë duket të jetë i pamundur. Nga shumë punëtorë, rikëndellja prej një mbylljeje të papritur dhe një tërheqjeje të thellë shoqërore po shihet si një mundësi për të realizuar ndryshime që përndryshe do të kishin marrë shumë kohë.

Sipas një ankete, një shumicë e numrit të punëtorëve, 80% të tyre, kanë thënë që do të preferonin që java t’i kishte katër ditë pune. Një numër i madh, dhe ndoshta të njëjtit persona, thonë që një mënyrë e tillë e ndarjes së javës, do ta rriste mirëqenien e tyre. Sa për punëdhënësit, ndoshta atyre nuk ua mbush syrin.

Për realizimin e kësaj, duhet një menaxhim alkimik: duhet të reduktohen orët për 20% duke mos e prekur produktivitetin i cili matet me sasinë e prodhimit për javë, në mënyrë që të mos ndikohet pagesa. Pra, në vend që të rritet pagesa, do të mund të shkurtoheshin orët e punës; ose të dyja.

Ideja duket se mundëson që punëtorët që marrin tri ditë pushim në javë kanë mirëqenie më të madhe dhe si rezultat janë më produktivë në punën e tyre. Anketa tregon se 65 % të punëtorëve mendojnë që një javë më e shkurtër e punës do ta rriste produktivitetin e tyre. Kjo teori pritet të testohet të paktën me një rund nga qeveria skoceze.

Tutje, punëdhënësit që pilotojnë reduktimin e orëve të punës përderisa nuk e ndryshojnë shumën e pagesës, kanë gjithashtu më shumë gatishmëri për të bërë edhe gjëra të tjera që i mbajnë punëtorët të lumtur dhe të motivuar.

Këto përfshijnë autonominë, fleksibilitetin, besimin, hapësirë për kreativitet, dhe një menaxhim kualitativ të cilat do t’i bënin punëtorët të ndihen sikur ata dhe puna e tyre vërtet vlerësohen.

Ideja e prezantuar nga Instituti për Kërkime të Politikave Publike në Skoci (IPPR Scotland) është kjo: orët që shkurtohen nga puna do të mund të përdoren për rezultate më të fokusuara, më shumë orë trajnimi apo të mblidhen si kohë që punëtorët mund ta shfrytëzojnë si pushim nga puna.

Tutje, Instituti thotë që këto orë do të mund t’u ofroheshin punëtorëve si pushim vjetor, ditë të festave zyrtare ose pushim i lehonisë për prindërit që u takon.

Politika të njëjta janë pilotuar edhe në Japoni duke sjellë rezultate të suksesshme, dhe ato gjithashtu aplikohen edhe në Islandë dhe Zelandë të Re.

Artikullin e plotë mund ta gjeni këtu.

Përkthyer nga Vesa Ferizi