Skenderaj, shpërndahen pako ushqimore për disa familje

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se 100 pako ushqimore janë shpërndarë nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” për familjet me asistencë sociale në këtë komunë.

Për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi, kompania Elkos poashtu dje ka ndihmuar 200 familje me produkte ushqimore të cilat jetojnë me asistencë sociale në Skenderaj.

Ndërkaq, të dhënat e vitit të kaluar të Ministrisë së Punës tregojnë se 805 familje në jetojnë me asistencë sociale në Komunën e Skenderajt.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari dhe Halil Kastrati nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”

Në anën tjetër, kjo Komunë ka njoftuar se të mërkurën kanë ndihmuar një nënë vetëushqyese nga fshati Klinë e Epërme.

Asaj i është ofruar një banesë e socialit dhe pako ushqimore në vazhdimësi nga Komuna.

Kryetari Jashari ka njoftuar se shoqata “Jetimat e Ballkanit” ka marrë përsipër mobilimin e banesës.

“Gjatë vizitës, pasi punëtorët kanë paralajmëruar znj. Tahiri që ajo duhet të këtë më shumë përgjegjësi për fëmijën e vogël dhe nuk ka të drejtë të  mbajë atë në kushte të tilla përderisa ne i kemi ofruar banim tek banesat sociale, ajo ka pranuar që të vendoset në këto banesa”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

“Pas ofrimit të banesës dhe pakove ushqimore në vazhdimësi nga komuna jonë, hoxha i nderuar Halil Kastrati ka marrë përsipër mobilimin e baneses për të krijuar kushte të përshtatshme për vendosjen e nënës e fëmijës brenda dy ditëve në banesë”, thuhet më tej në njoftim.

Vendbanimi i nënës vetushqyese në Klinë të Epërme në Skenderaj
Vendbanimi i nënës vetushqyese në Klinë të Epërme në Skenderaj – Foto: Facebook