Skenderaj, nxënësit vendosen në objektin e ri të gjimnazit

Sot nxënësit e gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj e kanë filluar vitin e ri shkollor në objekt të ri.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në rrjetin social “Facebook”.

“Objekt modern i Gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj, me hapësira të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Bashkë ndërtojmë të tashmen dhe të ardhmen, e tashmja dhe e ardhmja janë të rinjtë tonë”, ka shkruar Jashari.

Një hulumtim i gjatë i KALLXO.com më 1 shtator 2020 kishte shfaqur pamje të gjendjes së mjerueshme të objektit të vjetër të gjimnazit.

Mirëpo në planet e kryetarit Jashari është që objektin e vjetër do ta rinovojnë tërësisht dhe nxënësit do të kthehen përsëri në atë objekt.

“Ideja është se pasi të hapet gjimnazi i ri, të barten nxënësit atje, dhe do e rinovojmë jmë objektin e vjetër komplet. Projekti është bë, jashtëzakonisht i mirë. Kemi mëndu që prapë ta kthejmë gjimnazin aty, dhe shkolla e re gjimnazi do të zhvendoset shkolla teknike, ndërsa objektin e shkollës teknike “Anton Qetta” ta kthejmë në shkollë fillore, sepse qyteti ka nevojë edhe për një shkollë fillore qe nxënësit ta kryejnë vetëm më ndërrim”, ka thënë Jashari për KALLXO.com në muajin qershor 2020.