Skenderaj, një lagje e fshatit Plluzhinë bëhet me ujë të pijshëm

15 familje të lagjes Hoxha në fshatin Plluzhinë të Skenderajt do të furnizohen me ujë të pijshëm pas hapjes së pusit që u realizua nga bashkëpunimi i Komunës dhe organizatës “Qëndresa Kosovare”.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari përmes një shkrimi në “Facebook’.

“I kënaqur që pas kërkesës që kemi marrë nga banorët e lagjes Hoxha, në fshatin Plluzhinë, për mungesë të ujit të pijshëm, dje në bashkëpunim me organizatën “Qëndresa Kosovare”, kemi zgjidhur problemin e kësaj lagje, duke bërë hapjen e pusit, përmes të cilit do të furnizohen me ujë të pijshëm 15 familje të kësaj lagje”, ka shkruar ai.

Jashari ka deklaruar se edhe në 9 fshatra të tjera po vazhdon instalimi i gypit kryesor të ujësjellësit për të vazhduar më tej me kyçjet individuale. Sipas tij, janë në fazën finale të përfundimit të projektit për instalimin e kyqjeve individuale në 8 fshatra, në mesin e të cilave, shumica prej tyre tashmë janë kyqyr në ujësjellës dhe kanë ujë të pijshëm si: Turiqec, Kopiliq i Ulët, Vajnik, Kopiliq i Epërm, Rakinicë, Rezallë e Re, Tushilë dhe Kllodernicë.

“Në fshatin Plluzhinë, sikurse edhe në 9 fshatra tjera këtë vit po vazhdon instalimi i gypit kryesor të ujësjellësit falë bashkëpunimit me Qeverinë Zvicerane, për të vazhduar me tej me kyqjet individuale, për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për këto fshatra: Abri e Poshtme, Aqarevë, Likoc, Llaushë, Marinë, Makerrmal, Murgë, Rezallë, Plluzhinë dhe Ticë”, ka shtuar tutje.

“Gjatë kësaj periudhe, meqë ende projekti i kyqjeve individuale nuk ka përfunduar, mund të ketë probleme dhe raste kur ndonjë familje të mos ketë qasje në ujësjellës mirëpo të gjithë problemet do të evitohen me përfundimin e këtij projekti, i cili është në fazën finale. Kështu me angazhimin tonë dhe me përkrahjen e Qeverisë dhe donatorëve, do të arrijmë që të sigurojmë ujë të pijshëm për të gjitha banorët e komunës sonë. Kjo kërkon kohë dhe buxhet bukur të madh, por që me besimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin e ndërsjellët do të arrijmë të jetësojmë prioritetet tona”, ka përfunduar i pari i Skenderajt.