Skenderaj: Nis ndërtimi i ujësjellësit për 10 fshatra

Ka filluar sot ndërtimi i ujësjellësit edhe në 10 fshatra të Skenderajt.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Skenderajt përmes një komunikate për media.

Nga ky projekt përfitojnë fshatrat: Rezallë, Abri e Poshtme, Aqarevë, Likoc, Llaushë, Marinë, Makermal, Murgë, Plluzhinë dhe  Ticë, nga i cili do të përfitojnë gjithsej 12364 banorë.

“Për të parë nga afër realizimin e punimeve sot kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari së bashku me përfaqësuesin e CDI-së, Lavdim Osmanaj, menaxherin e njësisë në Skenderaj të KRU-së Mitrovica, Ilaz Halili, kanë bërë inspektime në fshatin Rezallë,  ku kanë filluar punimet në ndërtimin e rezervarit të parë me vëllim 320 metra kub, në shtrirjen e rrjetit dhe rezervarit të dytë në këtë fshat me vëllim 400 metra kub”, thuhet në njoftim.

Ai tutje ka deklaruar që do të kërkojë përkrahje dhe nga qeveria që ky projekt të përfundojë sa më shpejtë, “në mënyrë që mos te kemi vonesa sikurse kemi pasur me kyqjet individuale në 12 fshatra të komunës sonë”.

Jashari u zotua se këtë vit do të përfundojnë  projektin e kyqjeve individuale në 12 fshatra kurse në këto 10 fshatrat që tani ka filluar projekti do të angazhohen që deri vitin tjetër qytetarët të kenë ujë të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit.

Implementimi i projektit “Ndërtimi i Ujësjellësit”në 10 fshatra të komunës së Skenderajt është donacion i Qeverisë Zvicerane dhe Qeverisë së Kosovës kurse Implementohet  nga CDI – ja dhe ka një vlerë rreth 1.4 milion euro.

Në anën tjetër kujtojmë se në mars të vitit të kaluar ishte bërë inagurimi i sistemit të ujësjellësit për 10 fshatra në Skenderaj, por qe banorët tash e asaj kohe ende nuk kanë ujë të pijshëm.

Dhjetë fshatrat e Skenderajt me ujësjellës por ende pa ujë