Skenderaj, mantelbardhët protestojnë kundër dhunës ndaj tyre

Sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, mjekët dhe infermierët kanë organizuar një protestë si reagim ndaj ngjarjes së javës së kaluar, kur një person sulmoi personelin mjekësor në vendin e tyre të punës.

Krahas këtij aksioni, mjekët dhe infermierët kanë mbajtur në dorë një pankartë me shkrimin “Stop Dhunës”.

Komuna e Skenderajt përmes një komunikate për media ka thënë se është e papranueshëm ajo që ka ndodhur dhe si akt duhet të dënohet nga të gjithë.

Në protestë, në të cilën mori pjesë edhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Rrezarta Hasani-Ibrahimi, është shprehur shqetësim për ngjarjen e sulmit fizik, ndërkohë që është kërkuar reagim nga organet kompetente të rendit dhe sigurisë.

Më 16 mars, Kryesia e Sindikatës së QKMF-së në Skenderaj dhe Federata e Sindikatave e Shëndetësisë, kanë njoftuar se një ditë para në ora 03:45 në repartin e Urgjencës është sulmuar fizikisht komplet ekipi i Urgjencës, nga përcjellësi i një pacienti.

Sindikata e QKMF-së në Skenderaj ka njoftuar se njëri nga punëtorët ka marrë edhe trajtim në Spitalin e Mitrovicës.

Edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e ka dënuar rëndë dhunën e ushtruar ndaj punëtorëve shëndetësorë dhe ka kërkuar nga instancat më të larta shtetërore që të merren me rastin në fjalë.

Skenderaj, Sindikata thotë se u sulmuan fizikisht komplet ekipi i Urgjencës në QKMF