Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Skenderaj, dy persona mbi 100-vjeç vaksinohen kundër COVID-19

Në komunën e Skenderajt, dy persona të moshës mbi 100-vjeç kanë marrë vaksinën kundër COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

“Sa motivuese për të tjerët, dy të moshuar të moshës mbi 100 vjeçare u vaksinuan në Skenderaj, me vaksinën anti-covid. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, po vazhdon vaksinimi, ku sot është bërë vaksinimi i dy personave mbi moshën 100 vjeçare me vaksinën Astra-Zeneca”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Jasharit, moshezitimi i tyre për t’u vaksinuar me vaksinën  anti-COVID-19 është shembull për të tjerët, në mënyrë që në momentin kur të vijë radha e tyre për t’u vaksinuar të kryejnë këtë proces pa pasur dilema.

Ai ka shtuar se mantelbardhët e QKMF-së janë duke bërë përpjekje maksimale që me kohë të japin informatat dhe shërbimet e nevojshme për pacientët e komunës.

“Të interesuarit mbi moshën 80 vjeçare për vaksinim mund të bëjnë regjistrimin në shërbimin e vaksinimit në QKMF, fizikisht apo edhe përmes numrit të telefonit 048414241, nga e hëna deri të premten, prej orës 08:00-14:00. Njëkohësisht kërkoj nga institucionet tona qendrore që të shtojnë angazhimin e tyre në sigurimin e dozave të reja të vaksinave anti Covid-19. Bashkë për shëndetin e qytetarëve tonë!”, thuhet në publikimin e tij.

Në Kosovë është duke vazhduar vaksinimi i personave të moshuar. Në fund të marsit Kosova ka pranuar vetëm 24 mijë doza të vaksinave kundër COVID-19.

Vaksini i një të moshuare, Foto: Bekim Jashari/ Facebook