Mesues, FOTO: Ilustrim, KALLXO.com

Skenderaj do paguajë shujtat e mësuesve pasi qindra nisën betejën ligjore

Komuna e Skenderajt ka vendosur që të paguajë nga një shujtë në ditë për mësuesit dhe punëtorët teknikë e administrivë të shkollave të kësaj komune.

Ky obligim i komunës rrjedh nga kontrata kolektive e miratuar në prill të 2017.

Respektivisht neni 35, pika 7 e kësaj kontrate obligon Komunat që të sigurojnë kompensim për ushqim gjatë punës, në shumën prej dy eurosh për një shujtë ditore.

Pasi ky obligim nuk ishte përmbushur ndër vite që nga nënshkrimi i kontratës 850 mësimdhënës përfshirë punëtorë teknikë i ishin drejtuar zyrave të avokatëve për të ushtruar kërkesë në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Skenderajt për shujtat e papaguara.

Komuna e Skenderajt të martën bëri të ditur se ka ndarë 800 mijë euro për  shpërndarjen e shujtave për ta.

Drejtoria e Arsimit në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se si kanë arritur sigurimin e mjeteve për përmbushjen e obligimit 

“Ne kemi qenë në përpjekje të vazhdueshme që me i pagu këto, sepse rrjedhë prej kontratës kolektive. Komuna jonë ka arritë me i siguru mjete, edhe ka dashtë me i kry këto obligime që janë edhe prej qeverisë së kalume, prej 2017-es. Këto mjete (800 mijë euro) neve na kanë tepru prej Ligjit të Pagave dhe derisa Qeveria na ka dhanë dritën e gjelbertë që mundeni më i përdorë”, thënë drejtori i Arsimit, Bekim Latifi

Ata gjithashtu kanë thënë se do t’i miratojnë kërkesat individuale të mësimdhënësve.

“Ne i kemi njoftu mësimdhënësit moti që na jemi tu punu në këtë drejtim. Ne do t’i miratojmë kërkesat sepse mjetet tash i kemi, edhe s’kemi nevojë më shku ma tutje”, ka thënë Latifi. 

Nga komuna kanë deklaruar se shpërndarja e shujtave për 850 mësimdhënës do të kryhet brenda këtij viti, përderisa janë zotuar se “tani e tutje këto shujta do të paguhen çdo muaj, për të gjithë mësimdhenësit pa dallime”.