Skenderaj, babai ankohet se ia vodhën votat vajzës së tij

Brahim Vojvoda, qytetar nga Skenderaj, po pretendon se në vendvotimin në fshatin Llaushë nuk po figuron asnjë votë e familjes për vajzën e tij, Ervina Vojvoda, kandidate për asambliste nga Lista e Pavarur e Bekim Jasharit.

Vojvoda ka publikuar edhe formularin në të cilin shihet se kandidatja nuk ka asnjë votë tw shwnuar në rubrikën e saj.

“Unë si votues i rregullt në fshatin Llaushë bashkë me familjen time votuam vajzën time Ervina Vojvoda, por as vota ime si prind i saj nuk figuron askund, por ky nuk është vendvotimi i vetëm që na është bërë padrejtësi, dhe kjo është një dëshmi që ankesat nga ana jonë duhet të merren parasysh dhe vajza ime Ervina Vojvoda t’i ketë votat që i meriton”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë se kandidatja e Nismës Socialdemokrate për asambliste në Prishtinë, Lejla Gashi, ngriti dyshimet se nuk e mori as votën e vet në pikën ku ajo ka votuar.

KALLXO.com raportoi po dje se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konstatuar se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të Komunës së Skenderajt.

Ankesat janë të parashtruar nga subjekti i Bekim Jasharit, i cili kishte ngritur dyshimet për parregullsi dhe vjedhje të votave të sistemit të “trenit bullgar” gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor në Skenderaj.

PZAP i ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat e subjektit të Bekim Jasharit për përsëritje të votimit, me arsyetimin se “nuk ka bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat”.

Bekim Jashari nga lista e pavarur “Ideal për Skenderaj” ka marrë 40.64 për qind të votave kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Nura, mori 57.99 për qind.

Kjo është fletëvotimi të cilën e ka bashkangjitur në postimin e tij, Brahim Vojvoda.