Skenderaj, arrestohen tre persona për sulm seksual ndaj dy të miturave

Një burrë në Skenderaj është ankuar në Policinë e Kosovës se një grua dyshohet se ka ftuar dy vajzat e tij të mitura në banesën e saj.

Sipas Policisë, vajzat e moshës 9 dhe 11 vjeç kanë thënë se në banesën e të dyshuarës kanë qenë dy burra të cilët i kanë ngacmuar me fjalë të miturat dhe i kanë nxitur të martohen në moshë të re.

Policia ka arrestuar tre të dyshuarit dhe me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Javën e kaluar një person i moshës mbi 30-vjeçare nga një fshat i Istogut është arrestuar me dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë, mosha e të cilës është 9-vjeçare.

KALLXO.com mëson se ngacmimi kishte ndodhur në rrjetin social ‘Instagram’ dhe viktima ishte ngacmuar gjatë orëve të natës.

Në një intervistë për KALLXO.com, babai i vajzës së mitur tregon se si e kishte raportuar rastin në polici.

Ai bëri të ditur se në telefonin e vajzës kishte parë fjalë denigruese.

Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e re 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.

Lidhur me rastin janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona.

Ndërsa, gjashtë persona tjerë kanë përfunduar në pranga me 2 shtator. Ata po dyshohen për dhunim dhe trafikim të 11-vjeçares gjatë muajit qershor të këtij viti.