Skender Hyseni: Ndale turrin Lumir!

Ish koordinatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, në lidhje me deklarata e këtij të fundit të dhëna mbrëmë në emisionin Debat Plus.

Abdixhiku, ndër të tjera kishte thënë se ‘erdhi dita që Albin Kurti dhe Skender Hyseni të bëhen bashkë kundër meje’.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Hyseni ka thënë se opinioni publik e din qëndrimin e tij ndaj kryeministrit Kurti.

“Nëse asgjë tjetër, opinioni e di fort mirë qëndrimin tim ndaj Albin Kurtit dhe VV-së dhe politikave shkatërruese të tyre. Ashiqare Lumiri paska problem me sytë dhe me sensin e gjykimit” – ka shkruar Hyseni.

Tutje, Hyseni ka thënë se nuk ka nevojë të jetë kundër Abdixihikut si person, por si lider i LDK-së.

Ai ka thënë se Kurti e ka futur dje në kurth Abdixhikun, përderisa ky i fundit në Kuvend tha se ‘ka kaluar koha kur VV ka pasur ndikim në LDK’.

“Ai, pra Lumiri e tha botërisht qê kishte një kohë kur VV kishte ndikim në LDK, por tani ajo kohë ka mbaruarMua më vie mirë nëse ka mbaruar ajo kohë, ndonëse me vonesë dhe me pasoja, siç ishte rënja e LDK-së në 12%. E kjo është marrëzia tjetër që e thotë Lumiri qysh ne të vjetërit e LDK-së e paskemi sjellë LDK-në në 12%” – ka shkruar Hyseni.

Në fund, ai ka shkruar se është ‘100 herë më LDK’ se Abdixhiku.

“Përpjekja e ti për të më portretuar si njeri kundër LDK-së, vetëm sa shpërfaq mjerimin e tij politik. Përpos që është qesharake, është edhe marrëzi e llojit të vet” – ka shkruar Hyseni.