Ilustrim: Viza FOTO: RTK

Skema si u mashtruan prizrenasit për viza në Gjermani

Janë arrestuar dy të dyshuar për mashtrim, pasi që në bashkëpunim kanë krijuar një agjenci punësimi kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në shtetin kroat dhe gjerman.

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se këta të pandehur dyshohen se me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, i mashtrojnë pasi përmes biznesit të tyre “Timi & Zaimi”, si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shuma të ndryshme të të hollave.

Prokuroria, ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh për dy të pandehurit, si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.

Deri në këtë fazë, prokuroria ka arritur të sigurojë disa prej të dëmtuarve të këtij rasti, mirëpo duke pas parasysh provat e grumbulluara deri në këtë fazë, rezulton se numri i të dëmtuarve është tejet i madh, andaj Prokuroria bënë thirrje tek të gjithë qytetarët që janë pre e këtij mashtrimi që të lajmërohen në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.