Skema e fshehjes së pronësisë përmes bizneseve të Maltës (VIDEO)

Një hulumtim i gjatë i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Blerim Devolli ka arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavat energji solare duke u fshehur mbrapa bizneseve të ndryshme të regjistruara në Maltë, vend i njohur për fshehje të përfituesve të fundit të bizneseve.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.

Dy kompanitë e Devollit, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, kanë përfituar nga skema e vitit 2016-të. Të dy kompanitë e kanë përuruar parkun solar me kapacitet prej 6 megavat në tetor të vitit 2018. Pra, këtyre dy kompanive ju garantohet shitja e energjisë me një çmim prej 136.4 euro për megavat për 12 vjet, pra deri në tetor të vitit 2030. Në Kosovë pronarë të kompanisë “Birra Peja” janë dy biznese të regjistruara në Maltë. Këto biznese quhen “Abrazen” dhe kompania “Globosos”.

Në bazë të dokumenteve të siguruara nga regjistri i biznesit në Maltë, “Jeta në Kosovë” ka zbuluar që në vitin 2014, drejtori i kompanisë “Abrazen” ishte Blerim Devolli, ndërsa më vonë ishte zëvendësuar me Ernest Jusufin. Jusufi është njeri i besueshëm se është drejtor edhe në kompaninë tjetër të Blerim Devollit, “Devolli Group”. Gjurmimi tregon se kontakti i kompanisë “Abrazen” është emaili zytar i kompanisë “Devolli Group”, e cila është në pronësi të Blerim Devollit.

Edhe prapa biznesit tjetër, “Frigo Food Kosova” është Blerim Devolli. Pronar i “Frigo Food Kosova” është kompania “Frigo Food Solar”. Kjo e fundit është e regjistruar në Maltë dhe pronar i saj është Blerim Devolli.

Ky park solar është përuruar me kapacitet prej 6 megavatë, pra ku hyjnë dy kompanitë e Blerim Devollit, por me bazë në Maltë. Edhe anëtarët e bordit të ZRrE-së kanë qenë në përurim të parkut dhe të njëjtit kanë vendosur për skemën mbështetëse në vitin 2019, prej të cilës përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit, me 27 nëntor 2019, i ka miratuar tarifat nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitojnë 8 kompani që janë në listën e pritjes dhe që kanë marrë autorizime preliminare. Katër prej 8 kompanive që janë në listën e pritjes dhe që do të përfitojnë nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit e kanë pronar Blerim Devollin.

 

Kompania e parë e ka emrin “Building Construction Kosove L.L.C”, e cila është e regjistruar në Kosovë, por pronar i saj është një kompani tjetër “Solar Power Holding”, me bazë në Maltë. Por, përmes hulumtimit të “Jeta në Kosovë” është zbuluar që pronar i kompanisë “Solar Power Holding” në Maltë është Blerim Devolli.

Edhe kompania “Alsi & Co Kosovë”, që po ashtu ka përfituar nga vendimi i ZRrE-se është në pronësi të një biznesi tjetër “Alsi & CO LTD”. Pra e njëjta skemë është përdorur për fshehjen e biznesit, por “Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli është pronar i biznesit “Alsi & CO LTD” të regjistruar në Maltë.

Kompania e tretë që ka përfituar prej konsumatorit kosovar tarifën nxitëse e ka emrin “Energy Development Group”. Kjo kompani prapë është pronë e kompanisë amë që quhet “EDG LTD” me bazë në Maltë. Pronari i saj është Blerim Devolli, që në regjistrat e Maltës figuron si shtetas i Malit të Zi.

Kompania e katërt është “Devolli Group”. Por, më vonë kësaj kompanie i është ndërruar emri në “Abrazen”.

ZRrE-ja thotë se ndërrimin e emrin e ka bërë meqë, Devolli Group e ka dërguar një dokument nga ARBK-ja në të cilët thuhet se Devolli Group i është ndërruar emri në Abrazen.