FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Skandali në Prokurorinë e Shtetit me veturën e mitos për asistenten e drejtorit

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial Lavdim Krasniqi, ka pranuar dhuratë një veturë të tipit “VË T-roc” me ngjyrë të bardhë me tabela të regjistrimit 01 – 706 NQ në vlerë 25 mijë euro për asistenten e tij, Marigona Berisha, nga i dyshuari B.M., thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Nën dyshimin për këtë mito, bazuar në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.om, Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Lavdim Krasniqit, Marigona Berishës dhe dy personave të tjerë.

Përveç kësaj, aktakuza thotë se Krasniqi së bashku me një person tjetër kanë pranuar para në vlerë prej 40 mijë eurove nga po i njëjti person me iniciale B.M.

Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet A.K., dhe Marigona Berisha, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ndërsa, e pandehura Marigona Berisha sipas aktakuzës së Prokurorisë ka pranuar nga i dëmtuari B.M., një veturë në vlerë prej 25 mijë eurove, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Të pandehurit Lavdim Krasniqi dhe F.D., thotë aktakuza, kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cila iu vihen në barrë, të njëjtëve t’u shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform nenit 59 lidhur me nenin 62 të KPRK-së dhe të bëhet konfiskimi i veturës si provë në këtë çështje penale.

Ngritët aktakuzë ndaj Lavdim Krasniqit, Marigona Berishës e dy personave të tjerë