Ilustrim

Skandali me përgjimet - Flet pronari i 'Indeksit', Faton Shoshi

Gjatë dy ditëve të kaluara, media online “Shqip.com”, ka publikuar dy pjesë me audioinçizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në këto audioinçizime përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.

“Janë dy portale të forta këtu te ne, jam në bisedime me i marrë. Me hy ka 50%. Krejt më të fortat ko me i marrë”, pretendohet t’i ketë thënë ish-Shefi  i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, telefonuesit.

Tutje ai përmend portalin online “Indeksonline” si njërën nga mediat që pretendon ta përdor si shantazh.

“Ti me mua je, tjetër kah. Në Indeksonline dhe në Insajder. Në çoftë se hyjmë në Indeksonline hyjmë me Fatonin”, pretendohet të ketë thënë Nuhiu në këto audioinçizime.

Në lidhje me këto pretendime KALLXO.com ka kontaktuar me drejtuesin e portalit online “Indeksonline” Faton Shoshin.

I njëjti mohoi të ketë pasur oferta nga ana e Nuhiut për të blerë portalin që Shoshi e drejton.

“Së pari këto përgjime kur kanë dalë nuk e di kush i ka vërtetu që është zëri i Dardan Nuhiut apo personit tjetër. Unë nuk muj me besu që ai është Dardani që ka fol, kurrë në jetë ofertë nga Dardani nuk kam pasur. Unë e kam shok të ngushtë Dardanin por kurrë nuk kam pasur ofertë prej tij për me ble Indeksonline, nuk më ka shpreh ambicie për m`u kyç në media”, thotë Shoshi në një bisedë telefonike me KALLXO.com.

Tutje ai shton se audioiniçizimet nuk i ka marrë seriozisht deri sa shton edhe se nuk ka ndikuar asgjë në imazhin e portalit që e drejton.

“Kjo situatë është jo serioze asnjë grimë nuk na ka dëmtu në imazh të portalit apo mediumit tim. Njerëzit munden me fol çka të duan, aty kurrgjë serioze nuk ka pas, as kurrë ofertë s’ka pasur nga ai, nuk e di pse me u dëmtu. Kurrgjë hiç nuk më ka dëmtu sepse s’ka pas diçka që m`u ofru Dardani për me ble Indeksonline sepse s’kam pas nevoje me shitë”, përfundon Shoshi.

Që nga e premtja e javës së kaluar e deri më sot janë publikuar katër pjesë audioinçizime që pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar.

Në këto audioinçizime po pretendohet kapja e sistemit medial, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.

Deri më sot, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga ana e Sistemit Prokurorial në lidhje me pretendimet për ndikim të prokurores së krimeve të rënda Shemsije Asllani në dosjen e një veture të konfiskuar.

Gjatë ditës së djeshme pavarësisht thirrjeve dhe emailave që KALLXO.com i kishte drejtuar Ministrisë së Financave nuk ka marrë ndonjë përgjigje konkrete, ndërsa në mbrëmje ministri Hekuran Murati përmes Facebook-ut tregoi se kanë shkarkuar ish- Shefin e Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu nga pozita e tij.

Shkarkohet drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare, Dardan Nuhiu