Skandali me kasafortën e Presidencës, shkarkohet Driton Gashi

Pas skandalit me hapjen e kasafortës së Presidencës është liruar nga detyra sekretari i presidencës, Driton Gashi.

Lajmi për KALLXO.com e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media në zyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

“Komisioni i themeluar me vendim ad hoc për nivelin e lartë drejtues, me vendim të u.d. Presidentes Osmani, më 20 janar 2021, në rastin disiplinor ndaj z.Driton Gashi, sekretar në zyrën e Presidencës, ka përmbyllur shqyrtimin e këtij rasti dhe ka vendosur unanimisht shqiptimin e masës disiplinore: largim nga shërbimi civil dhe e ka obliguar zyrën e Presidentes për zbatimin e këtij vendimi”, tha Kupina.

Në nëntor të vitit të kaluar ishte raportuar se një person i paraqitur si inspektor i AKI-së ka tentuar të marrë disa dosje nga kasaforta e Presidencës.

Sekretari i Presidencës, Driton Gashi, në një deklarim të tij publik kishte thënë që kasaforta nuk ishte hapur fare.

“Unë kam qenë dëshmitar në këtë ngjarje bashkë me u.d. e presidentes dhe zyrtarin e AKI-së. Unë jam dëshmitar i ngjarjes krahasuar me të tjerët që po deklarohen në studio se është hapur sefi. Nuk është hapur sefi”, ka thënë Gashi në një lidhje telefonike në Klan Kosova.

Mirëpo këto deklarime të Gashit i kishte përgënjeshtruar këshilltari i Vjosa Osmanit, Faton Peci.

“Rastin e kemi paraqitur në polici. Z. Gashi nuk ka pasur mandat të ftoj përfaqësuesit e AKI të marrin dokumentacionin. Qasjen në sefin e sigurisë duhet ta ketë vetëm presidenti i vendit. Përveç asaj që unë z. Gashi dhe një agjent të AKI-së e kam gjetë në zyrë me fjalë të tjera i kam zënë në flagrancë duke sulmuar institucionin e Presidencës, fatkeqësisht sekretari i zyrës së presidentit dhe një inspektor të AKI-së. Unë i kam pyetur se me autorizim të kujt po e ndërmarrin një veprim të tillë dhe ai më ka thënë se nuk lejoj që këto dokumente me ra në duar të EULEX”, ka thënë Peci.

Driton Gashi para se të bëhet sekretar në Presidencë, në kohën kur ky institucion udhëhiqej nga Hashim Thaçi, ka qenë shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave në lidhje me rastin e deportimit të  gjashtë “gylenistëve” më 29 mars 2018.

Aktakuza është ngritur ndaj ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, Valon Krasniqit, drejtorit në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmanit, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare.

Drejtori i shkarkuar i AKI-së flet për dyshimet rreth hapjes së kasafortës së Presidencës

Këshilltari i Vjosa Osmanit ‘përgënjeshtron’ ish- shefin e AKI-së për kasafortën e sigurisë