Skandali i rrjedhjes së testeve, Kryeprokurori i Gjakovës rekomandohet të kthehet në punë

Dy muaj më parë sistemi prokurorial i Kosovës ishte goditur nga skandali ku Kryeprokurori i Gjakovës Ramiz Buzhala, i kishte dërguar pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional gazetares së KALLXO.com.

Dy muaj më vonë KALLXO.com zbulon planin që kryeprokurori i suspenduar të vazhdoj të jetë pjesë e sistemit bazuar në një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Dosja të cilën KALLXO.com e zbardhë ekskluzivisht përmbanë marrëveshjen sipas të cilës Buzhala nga Gjakova do kthehet në punë në Pejë ose Prizren dhe atë në departamentin e krimeve të rënda.

Marrëveshja është arritur në mes Buzhalës dhe panelit hetimor në të cilin bëjnë pjesë kryeprokurori i Apelit Xhevdet Bislimi, Bogdan Spadijer prokuror dhe Bazhkim Zeqaj po ashtu prokuror në Prishtinë.

Sipas ligjit marrëveshja në mes shkelësit të pretenduar dhe panelit hetimor dorëzohet në këshill për miratim.

E njëjta është dorëzua dhe kjo është konfirmuar nga burime brenda KPK-së. I kontaktuar nga KALLXO.com Ramiz Buzhala nuk ka pranuar të flas.

Pas prezantimit se ka një thirrje nga gazetarët e KALLXO.com ai e ka mbyllur telefonin me fjalët “Ditën e mirë”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala i cili gabimisht në numër të telefonit të gazetares së KALLXO.com, Adelina Ahmeti kishte dërguar pyetjet e testit për bashkëpunëtor profesional në marrëveshje thuhet se ka pranuar fajësinë.

Buzhala është suspenduar pas skandalit ku i dërgoj gazetares së KALLXO.com pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional të prokurorisë.

Rasti i rrjedhjes së pyetjeve për konkursin për bashkëpunëtor profesional

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com në orën 11:25 të datës 13 korrik, dy muaj më parë.

Ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala në numrin e gazetares së KALLXO.com, autores së këtij artikulli, vazhdon tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”.

Kryeprokurori Buzhala i drejtohej dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.

KALLXO.com mësoi atë kohë së pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë po të njëjtës ditë kur janë dërguar pyetjet, brenda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje kishte vazhduar të thërras në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala, derisa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje?

“Po më fal ku keni dashtë me i dërgu këto pyetje, ku i ke adresu?”, pyetet nga gazetarja.

“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…”, kërkon kryeprokurori Buzhala nga ekipi i KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Ai nuk pranon të jap përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkoj që të fshihen ato.

KALLXO.com me të marrë vesh se ishte duke u mbajtur një test me shkrim për bashkëpunetorë profesionalë për disa prokurori të ndryshme, kishte shkuar në ndërtesën ku po mbahej testi me shkrim.

Gjatë asaj kohe sa ekipi qëndroi në ndërtesë, gjatë bisedave me disa nga të testuarit për pozitën e bashkëpunëtorit profesionalë, të njëjtit ia konfirmuan ekipit të KALLXO.com se pyetjet ishin të ngjashme sikurse ato që i kishte dërguar kryeprokurori Buzhala gazetares së KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar me dhjetëra herë të kontaktoj sërish me kryeprokurorin Buzhala. Ai në asnjë moment nuk është përgjigjur, as në thirrje e as në mesazhet që i ka dërguar ekipi i KALLXO.com.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com menjëherë ka kontaktuar edhe me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

I pyetur fillimisht, nëse aktualisht ka ndonjë konkurs për bashkëpunëtorë profesionalë, Kryeprokurori Kelmendi tha se e di që ka, por jo saktësisht.

KALLXO.com ka shkuar edhe një hap më tutje, ka tentuar sërish të telefonoj kryeprokurorin Buzhala por i njëjti kishte bllokuar numrin e gazetares së KALLXO.com.

Pas publikimit të hulumtimit nga KALLXO.com, Këshilli Prokurorial i Kosovës po atë ditë kishte anuluar konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë.

Një ditë më vonë, më saktësisht më 14 korrik, Buzhala ishte suspenduar nga detyra e Kryeprokurorit të Gjakovës.

Ndaj të njëjtit nisi edhe një procedurë disiplinore e cila sipas informacioneve, Buzhala ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar që për rastin që kishte ndodhur të transferohej në një prokurori tjetër si prokuror.

Kërkesa e tij do të shqyrtohet dhe vlerësohet në një mbledhje të Këshillit Prokurorial të Kosovës.