Skandali i Mytaher Haskukës, përmirëson me fotoshop në foto gabimet drejtshkrimore te emri i Muzeut

Gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka raportuar për gabimin drejtshkrimor te mbishkrimi në hyrje të Muzeut të Dëshmorëve në fshatin Landovicë, i cili u përurua dje nga Komuna e Prizrenit.

Në fotografitë që u postuan në profilin e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, u pa që ishte shkruar “Muzeu i Dëshmoreve”, dhe në vend të shkronjës (ë) që do të duhej të ishte menjëherë pas shkronjës (r), kanë shkruar shkronjën (e). Me këtë gabim, Haskuka dhe Komuna e Prizrenit, kanë përjashtuar dëshmorët (burra) sepse sipas mbishkrimit, ky del të jetë një Muze vetëm për dëshmoret gra.

Mbishkrimi me gabime, Foto: Mytaher Haskuka/Facebook

Ndërsa në postimin bërë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Haskuka e ka shkruar drejtë fjalën “Dëshmorëve”, e që nënkupton se Muzeu është i gjithë dëshmorëve, gra e burra që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, 22 vjetorin e të cilës vendi po e kremton sot.

Gabimi është vërejtur edhe në mbishkrimin në gjuhën angleze. Në vend që të shkruhet “Martyrs Museum”, Komuna e Prizrenit e ka shkruar “Martys Museum”.

Por sot, një ditë pas publikimit të fotografive nga Haskuka, KALLXO.com ka vërejtur se në fotografinë e njëjtë është intervenuar me fotoshop për të vendosur pikat mbi “e”, në mënyrë që shkronja “e” të bëhet “ë” dhe fjala “Dëshmoreve” të bëhet “Dëshmorëve”.

Intervenimi në fotografi është bërë edhe te fjala në gjuhën angleze. Fjala “Martys” është përmirësuar dhe është bërë “Martyrs”.

Mbishkrimi pa gabime, Foto: Mytaher Haskuka/Facebook

Ajo çka vërehet në postimin e kryetarit Haskuka është që i gjithë postimi është publikuar rreth 20 orë më parë ndërsa fotografia me gabimet në mbishkrimin në hyrje të Muzeut në Landovicë është publikuar rreth 13 orë më parë. Pra duket që kjo fotografi është fshirë, është përpunuar dhe është ripublikuar përsëri si e përmirësuar.

Në “Muzeun e Dëshmorëve” do të ekspozohen dokumente dhe eksponate e të gjithë dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

“Ditën e Çlirimit të Prizrenit, sot së pari filluam duke bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë. Pastaj, bashkë drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, deputetët e Kuvendit të Kosovës, familjet e dëshmorëve, shoqatat e dala nga lufta dhe drejtorët komunalë e përuruam Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë”, kishte shkruar Haskuka.

Ai tha se ky Muze është i pari i këtij lloji në Kosovë.