FOTO FCB - Lazar Ramaja - Drejtor i ATK-së në Gjakovë

Skandali i drejtorit të ATK-së në Gjakovë, deklaron publikisht se ndihet krenar që është pjesë e LDK-së

Drejtori i Administratës Tatimore në Gjakovë, Lazar Ramaja publikisht ka deklaruar se është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social në Facebook, ka deklaruar se është krenar që është anëtar i LDK-së, dhe që i ka kontribuar kësaj partie.

“Me tre Gjera mburrem dhe jam krenar që jam pjesë e kontribues i vockël i tyre… 1. Si Homo Biologicus që jam Anëtar i Familjes Ramaja, krenar për Historinë e saj Sidomos këtyre 150 Vitet e fundit pasi për më herët pak Informata kame… 2. Si Homo Politicus që jam Anëtar i LDK nga Themelimi i saj 23.12.1989 dhe 3. Si Homo Officialis i Punësuar në ATK nga Shkurti 2000”, ka shkruar drejtori Ramaja.

Postimi i drejtorit të ATK-së në Gjakovë, Lazar Ramaja

Kujtojmë se gjatë muajit shtator të këtij viti, Administrata Tatimore e Kosovës u kishte kërkuar zyrtarëve të saj që të zgjedhin në mes posteve në ATK ose angazhimeve në politikë.

Vendimi u morr nga ATK-ja, duke u thirrur në ligjin e ri për zyrtarët publik, i cili ka hyrë në fuqi me 11 shtator.

Ky vendim i ATK-së, erdhi pasi KALLXO.com në kuadër të projektit për monitorimin e punës së ATK-së i kishte dërguar letra menaxhmentit të ATK-së me kërkesën për të nisur procedura disiplinore për zyrtarëve të lartë të ATK-së të cilët drejtojnë degët regjionale dhe mbajnë pozita në parti politike.

BIRN e informoi Administratën Tatimore të Kosovës se tre zyrtarë të lartë të këtij institucioni që mbanin pozita të larta në ATK, ishin aktiv në politikë.

Dy nga ta në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa njëri në Partinë Demokratike të Kosovë

Pas këtij vendimi kishte ardhur dorëheqja e parë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Menaxheri Rajonal i ATK-së, në Prizren, Shaqir Totaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita në ATK dhe ia kishte mësyrë politikës.

Të kundërtën e Totajt e kishin bërë dy zyrtarët e lartë të ATK-së, dhe dy Inspektorë. Ata kishin vendosur që të heqin dorë nga politika dhe t`i mbajnë postet në Administratën Tatimore të Kosovës.