Krist Gjoka, komandant i stacionit policor në Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Skandali i dhunës, komandanti Kristë Gjoka transferohet në policinë kufitare

Ish- Komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjoka që nga dita e sotme do të vazhdoj punën në Departamentin Kufitar në kuadër të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com mëson se i njëjti është transferuar dhe vendimi hyn në fuqi që nga dita e sotme.

Siç mëson KALLXO.com, transferimi është bërë për shkak se ndaj Gjokës është ngritur një aktakuzë dhe është pjesë e disa hetimeve të cilat janë duke u zhvilluar ndaj tij dhe 5 policëve të tjerë për keqtrajtimin e një të dyshuari brenda stacionit Policor në Gjakovë.

KALLXO.com kishte raportuar edhe me aktakuzën dhe përmbajtjen e saj në lidhje me veprimet e Gjokës dhe pesë policëve të tjerë.

Sipas aktakuzës komandanti Kristë Gjokaj, dyshohet se derisa i dyshuari për grabitje dhe sulm ndaj Policisë, Muhamer Raifi, kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, Gjokaj e kishte goditur me grusht në fytyrë.

E gjitha kishte ndodhur në nëntor të vitit 2018, kur policia kishte arrestuar Muhamer Raifi nën dyshimin se i njëjti kishte kryer një grabitje dhe kishte sulmuar policinë në Gjakovë.

Aktakuza ndaj Gjokës e pesë policëve të tjerë është ngritur në nëntor të vitit të kaluar.

Aktakuza shpjegonte edhe se zyrtarët policor Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi e Milot Ukaj, në bashkëkryerje kishin keqtrajtuar të arrestuarin Muhamer Raifi.

Në aktakuzë thuhej se keqtrajtimi ndaj Muhamer Raifit kishte ndodhur pas mesnatës, së 14 nëntorit të vitit 2018, përkatësisht duke filluar nga ora 02:08 minuta, e deri në orën 04:24 minuta.

Suspendimet në Gjakovë: Kamerat e Policisë filmuan dhunën mbi të dyshuarin në stacion

Suspendimet në Gjakovë: Kamerat e Policisë filmuan dhunën mbi të dyshuarin në stacion