Ilustrim

Skandali i arrestimit, i riu nga Peja ‘imun’ ndaj paraburgimit

Në emisionin “Kallxo Përnime” mbrëmë u transmetua hulumtimi rreth rastit të një personi me inicialet M.M. nga Peja, i cili dyshohet se kishte sulmuar me grushte zyrtarin policor në prani të familjarëve duke e kërcënuar se do ta vrasë e më pas kishte demoluar edhe lokalin e familjarit të viktimës.

Prokuroria në Pejë të riun recidivist e kishte dërguar në arrest shtëpiak.

Arsyetimi i Gjykatës dhe Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kishte qenë se personi nuk është i rrezikshëm.

I riu në fjalë kishte pasur të caktuar edhe më herët masën e arrestit shtëpiak por që e kishte thyer.

Policia e kishte njoftuar Gjykatën dhe Prokurorinë se i njëjti ka shkelur masën e arrestit shtëpiak.

I riu edhe pse kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak, atij nuk i ishte caktuar masa e paraburgimit.

Gjykatësi i rastit, Sejdi Blakaj, ka thënë se i riu në fjalë ka dalë me leje.

“Unë mendoj që ai i ka kryer veprat në fjalë, dhe ka thënë se ka qenë në një moment krize. Ai ka dalë, mirëpo nuk ka dalë asnjëherë pa kërkuar leje nga informatat që m’i ka pru Policia ai thotë se ka kërku leje paraprake. Është e vërtetë se avokati Nikçi ka kërkuar leje dhe unë ia kam leju daljen, për çdo herë që ka kërkuar”, tha ai.

Sipas tij ai ka dalë për të kryer kontrolle mjekësore dhe është kthyer në shtëpi.

“Ka tregu se ka nevojë më shku në kontrolle mjekësore, dhe unë pikërisht për të e kam lejuar, nuk ka nevojë të shkoj në kontrolle me përcjelle të Policisë. Sikur të bënte ndonjë vepër penale ai do të kthehej në paraburgim”, tha Blakaj.

Avokati mbrojtës Adem Nikçi ka thënë se kërkesën për të dalë e ka bërë një herë te gjykatësi.

“I njëjti nuk është mirë me shëndet, dhe kështu qysh në seancën e paraburgimit gjyqtari ka tregu tolerancë që ai në rastet që i duhet me shku te mjeku, nuk ka nevojë me bo ku me ditë çfarë kërkese kështu, por në mënyrë formale me njoftu gjyqtarin”, tha Nikçi.

“Ti po thu ka dalë disa herë, unë e di për një rast se kam qenë vet prezent, mirëpo ne kemi shku në stacion dhe policia e ka liru meqë i njëjti ka pasur dokument mjekësor. Unë nuk mund me konfirmu që ai ka dalë disa herë”, shtoi ai.

Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë e Pejës, ka thënë se kanë pasur informacione nga Policia për shkelje të arrestit nga i dyshuari.

“Kemi pasur informacione nga Policia e Kosovës se i njëjti nuk është duke respektuar masën e arrestit shtëpiak, dhe ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, mirëpo për këtë çështje është kompetent gjyqtari i procedurës paraprake”, tha ai.