Njësia e paraburgimit në Scheveningen, Hagë. Foto: BIRN.

Skandali i 2 milionëshit, të dyshuarve u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Gjykata e Prishtinës, ka marrë vendim duke ua vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, dy të dyshuarve, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Për KALLXO.com lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Mirlinda Gashi, e cila tha se masa e paraburgimit për Labinot Grudën, është vazhduar me datë 18 janar deri më 17 mars, ndërsa Shalës i është vazhduar me datë 24 janar deri më 23 mars 2021.

Kujtojmë se përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ministrja e financave Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, duke thënë se thesarit të shtetit i ishin “avulluar”, më tepër se 2 milionë euro.

Pa dhënë shumë detaje, ministrja pati treguar se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një operator ekonomik.

Lidhur me këtë çështje, deri më tani janë arrestuar dy persona dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit.

Bëhet fjalë për Labinot Grudën, zyrtari në Ministrinë e Financave si dhe Kadri Shalën përfaqësues ligjor në Kompaninë LDA Group SH.P.K, kompania në të cilën janë transferuar paratë nga thesari.

KALLXO.com ka siguruar dosjen nga Gjykata lidhur me rastin ndaj këtyre dy të dyshuarve për transferimin e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit në llogari të një biznesi privat.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com zyrtari i Ministrisë së Financave Labinot Gruda kishte deklaruar se çështja e dy milionëve nuk kishte të bënte me të.

“Nuk pajtohem me kërkesën e prokurores së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, sepse e ndiej veten plotësisht të pafajshëm. Pretendimet për shumën prej 2 milionë euro, nuk kanë të bëjnë aspak me mua”, kishte deklaruar Gruda para Gjykatës.

Kurse i dyshuari tjetër Kadri Shala i cili ishte vetë dorëzuar në Polici, para Gjykatës ka deklaruar se mjetet të cilat i ishin transferuar në xhirollogarinë e tij kishte menduar që ishin transferuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të destinuara për një projekt të cilin e kishte në plan ta realizonte.

Shala ka deklaruar se paratë i ka harxhuar pasi që me to i ka paguar borxhet lidhur me projektin që e kishte në plan ta realizonte.

“…duke menduar se ato mjete janë të mijat i kam shfrytëzuar pa hezituar ndaj operatorëve-borxhëlinjëve që kamë marrë materiale nga ta për ndërtimin e atyre shtëpive dhe për to si dëshmi ekzistojnë të gjitha fakturat tek ata operatore të gjitha janë në harmoni me dispozitat ligjore”, ka thënë Shala.

Shala ka mohuar të ketë bashkëpunuar me zyrtarin e Ministrisë së Financave, Labinot Grudën, ndërsa ka premtuar që pas përfundimit të projektit, paratë do t’i kthej në arkën e shtetit.

“…me kryerjen e atyre punimeve ato mjete do t’i kthehen shtetit. Asnjëherë dhe asnjë çast apo minutë nuk kam të bëj diçka me një zyrtar të thesarit siç pretendohet apo Ministrisë së Financave…”, ka shtuar më tej Kadri Shala.

Ndërsa pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, Gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi se të pandehurit e lartcekur, në bashkëkryerje e me planifikim paraprak, duke e ditur se pasuria është përfituar përmes veprimeve inkriminuese të të pandehurit Labinot Gruda, duke keqpërdor detyrën zyrtare dhe autorizimet, kanë krijuar user të ndryshëm, që duken si të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe përmes të njëjtëve, në mënyrë të kundërligjshme e kanë transferuar nga Thesari i Republikës së Kosovës shumën prej 2,077,995.90 euro (dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent), në llogarinë bankare të subjekti juridik LDA GROUP SHPK, me pronar Valon Shala dhe person të autorizuar Kadri Shala.

Më pas Prokuroria pretendon se i pandehuri Kadri Shala parat e lartcekura me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës së tyre të vërtetë, të njëjtat i ka transferuar në llogari të ndryshme të personave fizik dhe juridik, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, si dhe shuma të caktuara i ka tërhequr në para të gatshme nga llogaria e lartcekur.

Sipas Prokurorisë i pandehuri Labinot Gruda në bashkëkryerje me Kadri Shalën dyshohen të kenë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa Kadri Shala dyshohet se ka kryer veprën penale shpërlaja e parave lidhur me veprën penale të pastrimit të parave.

Lidhur me vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, Gjykata ka gjetur se nëse të pandehurit do të gjendeshin në liri atëherë të njëjtit mund të ndikonin në dëshmitarë tjerë të mundshëm, të cilët deri në këtë fazë nuk janë dëgjuar sepse ndaj të pandehurve është duke u zhvilluar faza e hetimeve.

Në arsyet për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve Gjykata ka vlerësuar se rasti është mjaft kompleks andaj nëse në këtë fazë të pandehurit gjenden në liri pos ndikimit në dëshmitarë do të mund të  vinte edhe deri tek dëmtimi i hetimeve si edhe zhdukja e provave.

Gjatë marrjes së vendimit për paraburgim, Gjykata ka llogaritur edhe peshën e veprës penale, mënyrën si dhe rrethanat në të cilat pretendohet se është kryer vepra penale.

Labinot Gruda ishte arrestuar nga Policia në mbrëmjen e 20 tetorit ndërsa Kadri Shala ishte vetëdorëzuar në Polici më 26 tetor, ku më urdhër të prokurorit ishte dërguar në ndalim, ndërsa pas mbajtjes së seancës dëgjimore atij i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve.