Ramiz Lladrovci - Foto: KALLXO.com

Skandali 2 milionësh, reagon kryetari Drenasit Ramiz Lladrovci

Komuna e Drenasit ka reaguar pas raportimeve se në skandalin për avullimin e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit është i përfshirë ish-drejtori i kësaj komune, L. G. duke e identifikuar si njeri të afërt me PDK-në dhe kryetarin Ramiz Lladrovci.

Kjo komunë përmes një postimi në “Facebook”, ka reaguar duke thënë se fotografia e sotme e publikuar në media se G. është kuadër i PDK-së, duke u ilustruar me foton e kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci, është e pavend.

“Prandaj, identifikimi i tij me komunën e Drenasit dhe përkatësinë partiake është plotësisht e pavend. Angazhimi i tij në krye të Drejtorisë, ishte për arsye të përvojës, aspekteve profesionale dhe rekomandime për përvojën e tij në Ministri të Financave”, thuhet në komunikatën e Komunës së Drenasit.

Ndaj këtij skandali ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duke kërkuar dorëheqjen e Hykmete Bajramit nga posti i ministres së Financave.

Një person, zyrtar i Ministrisë së Financave, është arrestuar të martën në mbrëmje, pasi që i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës duke transferuar para në vlerë 2,077,995.90 milionë euro.

Ky është reagimi i plotë i Komunës së Drenasit:

Lajmi i sotëm, se ish zyrtar i Komunës së Drenasit, z. L. G., është paraburgosur, na ka shqetësuar pa masë.

E vërtetë se Z. G., ka qenë i emëruar drejtor i Drejtorisë për Buxhet e Financa, më 7.2.2018 dhe në këtë detyrë ka shërbyer deri më 14.11.2018.

Largimi i tij, ashtu si emërimi i tij, në krye të departamentit, është bërë publik. Arsyet e largimit të tij nga posti i Drejtorit, edhe zyrtarisht, ka qenë “për arsye personale”.

Fotografia e sotme e publikuar në media se z. G. është kuadër i PDK-së, duke u ilustruar me foton e Kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci, është e pavend. Fotografia e tij krah kryetarit, është bërë gjatë dëgjimeve buxhetore me qytetarët, derisa z. G. ishte në krye të drejtorit të Drejtorisë për Buxhet e Financa

Prandaj, identifikimi i tij me komunën e Drenasit dhe përkatësinë partiake është plotësisht e pavend. Angazhimi i tij në krye të Drejtorisë, ishte për arsye të përvojës, aspekteve profesionale dhe rekomandime për përvojën e tij në Ministri të Financave.

Lirimi i z. G. është bërë me kërkesë të tij dhe është kthyer në Ministri të Financave. Nga kjo ditë, ai nuk ka pasur asnjë ndikim as qasje në Drejtorinë për Buxhet e Financa.