Ilustrim, Foto: Ilustrim

Skandal - Të shtënat në Zubin Potok, policia ende nuk ka dalë në vendin e ngjarjes

Policia e Kosovës ende nuk e ka vizituar vendin ku drejtë alpinistëve kosovarë u qëllua me kallashnikov.

Kallxo.com mëson se 24 orë nga ngjarja, Policia e Kosovës ende nuk është dukur në zonën ku ka pasur të shtëna, nuk ka vendosur shirita dhe nuk ka bërë kërkimet e nevojshme hetuese.

Të dielën në malet e Zubin Potokut një grup alpinistësh të “Montain Club” raportuan publikisht se në afërsi të tyre u qëllua me kallashnikov. Grupi ishte arratisur nga vendi i ngjarjes, ndërsa gjatë gjithë ditës djeshme, opinioni u bombardua me informacione rreth ngjarjes.

Presidentja e vendit Vjosa Osmani bëri thirrje që kjo ngjarje të hetohet deri në fund, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme kërkoi po ashtu ndërmarrjen e masave lidhur me ngjarjen.

Por raportet zyrtare 24 orë pas ngjarjes, tregojnë që ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim në vendin ku supozohet se ka ndodhur sulmi.

Kallxo.com ka kontaktuar zyrtarët që janë do të duhej të merreshin me hetimin e ngjarjes.

Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, ka konfirmuar se deri më tani nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Është proces në vazhdim të hetimeve. Hetimet kanë më fillu është në proces të fillimit të marrjes së deklaratave të dëshmitarëve. Kemi kërku terrenin po nuk e kemi ditë ku është deri sa t’i sigurojmë deklaratat e dëshmitarëve. Me të thonë se ka ndodhur një rast në malet e Zubin Potokut, ku me ditë ku është ai vend, na duhen deklaratat e dëshmitarëve pastaj bashkë më dëshmitarin me shku në vendin e ngjarjes. Është proces që do të vazhdoj sot”, ka thënë Hoti për KALLXO.com.

Për të sqaruar situatën KALLXO.com ka kontaktuar edhe Kryeprokurorin e Mitrovicës, Ismet Ujkani. Ai ka thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë dalur në vendin e ngjarjes pasi rastin dëshmitarët e kanë raportuar në Prishtinë dhe ende nuk kanë marrë ndonjë informacion.

“Jo se ata e kanë njoftu Prishtinën, kanë mbet Policia me njërin prej dëshmitarëve edhe me kqyrë ku ka qenë lokacioni. Ata nuk kanë njfotu hiç”, ka thënë Ujkani, duke shtuar se komunikojnë dhe janë në kontakt me zyrtarët e Prishtinës.

“Policinë e Prishtinës i kanë kontaktu ata (alpinistët) drejt. Ata nuk kanë njoftu hiç te na”, ka thënë për KALLXO.com Ujkani.

Sipas ligjit menjëherë pas incidentit, policia duhet ta vizitoj vendin ku ka ndodhur krimi dhe të mbledhë provat e rastit. Njëra nga arsyet kryesore pse kjo ndodhë është sigurimi i provave dhe dëshmive për ngjarjen.